
Për herë të parë në 31 vite, Partia Socialiste paraqiti një mënyrë të re të organizimit të Kongresit, që niste me 5 panele, të cilat synonin të merrnin perceptimin e publikut mbi punën e ministrive kryesore.
Perceptimi tingëlloi pozitiv ndaj qeveritarëve socialistë, por rregullin e prishi deputeti Erjon Braçe.
“Katër veta sjellin sot vajin, 3 veta sheqerin, 4 veta orizin, siç dy veta zotërojnë tregun e inputeve bujqësore, që vuani të gjithë çmimet e tyre. Nuk është e vërtetë ajo që ne themi zakonisht që në atë treg ka konkurrencë. Një pjesë e madhe e tyre kanë abuzuar barbarisht gjatë këtij viti e vitit që kaloi”, tha Braçe.
Deputeti nuk u ndal vetëm te monopoli i importeve, duke tërhequr vëmendjen e socialistëve.
Energjetika është një prej sektorëve më të kërcënuar sot, për shkak të luftës në Ukrainë, krizës së tregjeve dhe varësisë së vendit tonë ndaj tyre. Këtu u ndal ministrja Belinda Balluku, në panelin për energjinë.
“Shqipëria nuk do të bëhet një vend superfuqi energjetike, siç thuhej dikur, por do të bëhet një vend që do të mbulojë të gjitha nevojat e tregut për energji elektrike dhe madje vend eksportues i energjisë”, theksoi Balluku.
Shqipëria do të shohë si mundësi edhe energjinë alternative, ndërsa kërkoi kohë për implementimin e platformave të reja. (A2 Televizion)