
Kryeministri Edi Rama komentoi situatën në Partinë Demokratike gjatë Kongresit të Partisë Socialiste. Sipas tij, forcën e saj, partia që drejton duhet ta masë vetëm me fuqinë që ka për të bashkuar qytetarët shqiptarë.
“Kam zero keqardhje, ajo forcë duhet të kishte shkuar në djall shumë kohë më parë, që Shqipëria të kishte një opozitë serioze. Ne duhet të jemi shumë të shqetësuar, jo sepse na mungon opozita, por sepse nuk duhet të biem në kurthin e atij që nuk është i motivuar që të luftojë. Forcën tonë duhet ta masim me fuqinë që kemi për t’i bashkuar qytetarët shqiptarë”, tha Rama.
“Le të thonë çfarë të duan, ne nuk jemi si partitë e tjera politike. PS është shqiptari, është brumi pa të cilin politika jonë nuk prodhon dot asnjë gramë bukë. Shqipërinë pa PD-në e shoh me kënaqësinë më të madhe dhe e shoh që nuk ka asnjë problem. Pa PS-në, nuk e përfytyroj dot Shqipërinë”, shtoi kryeministri.
Më tej, Rama foli edhe për Këshillimin Kombëtar, duke theksuar se nuk do të ketë amnisti për kriminelët dhe trafikantët, “por paratë e krimit nuk mund të jenë arsye që të kriminalizohen paratë e punës në të zezë”.
“Ne duhet t’i dëgjojmë me mendje të hapur të gjitha opinionet e shqiptarëve, jo për të luftuar me të vdekurit që gjallojnë duke kërkuar sherr. Forca jonë duhet të përkthehet në veprime konkrete në respekt të opinionit të njerëzve sepse vendimmarrjet bashkë me njerëzit u japin atyre siguri dhe ndjesinë e dobishmërisë. Njerëzit duan siguri për paratë që kanë mbledhur nga puna në të zezë dhe jo nga puna e zezë. Ne nuk mund të bëjmë amnisti për kriminelët e trafikantët, por paratë e krimit nuk mund të jenë arsye që të kriminalizohen paratë e punës në të zezë”, shpjegoi Rama. (A2 Televizion)