
E ftuar në “A2Business” me Aurora Sulçen, Drejtuesja e “Open Data Albania”, Aranita Brahaj, u shpreh se ka disa faktorë ose aktorë që kanë ndikuar në këtë lëvizje të Euros muajt e fundit. Sipas Brahajt, kjo është një para informale, ndërsa shtoi se kemi edhe disa efekte, që janë momentale.
“Ka disa faktorë ose disa aktorë të mundshëm për këtë lëvizje, luhatje të Euros. Është para informale. Ne s’kemi asnjë lloj iluzioni që institucionet shqiptare e kanë nën kontroll, por madje mendojmë që janë krijuar hapësirat që këto para janë të tepërta, duke tentuar edhe të hidhen në qarkullim.
Nga ana tjetër kemi edhe disa efekte, të cilat janë të momentit. Edhe pritshmëria për rritje të pagave mund të ndikojë, apo kur ka momente të tjera kur paralajmërohen rritje pagash.
Unë dëgjoj gjithmonë këtë që flitet që ka shumë që përpiqen ta lidhin me procesin zgjedhor. Dua ta them se këto procese zgjedhore që ne presim, pra fushata e 14 majit, është një fushatë ku palët nuk kanë pasur nevojë të investojnë shumë, e aq më tepër të investojnë në Euro. Në shumë bashki duket sikur gara është thjesht formale.
Po tentohet të krijohet një situatë e gabuar sikur njerëzit po tentohen të blihen. Nuk shikoj ndonjë fushatë si ato të mëhershmet.”, deklaroi ndër të tjera Aranita Brahaj. (A2 Televizion)