
Një fillim i vështirë këtë vit për sektorin e shërbimeve, që përfshin zinxhirin e bareve dhe restoranteve, i vetmi që shfaqi rënie të besimit në anketën e Bankës së Shqipërisë. Bizneset e para të sakrifikuara nga konsumatorët në kulmin e krizës së çmimeve, po vuajnë edhe një konkurrencë të madhe nga sektorët e tjerë për punonjës.
Por për ekspertët e ekonomisë optimizmi në këtë sektor do të rritet me fillimin e sezonit turistik.
“Kuptohet që sektori i shërbimeve është më ciklik. Ky pyetësor kap kompanitë më të mëdha e të regjistruara, por sektori i shërbimeve ofrohet dhe në kompani të tjera si Airbnb etj. Patjetër që jemi në fillim të sezonit veror dhe këto biznese presin më shumë por besoj që duke filluar nga maji ose qershori do të kemi një verë më të suksesshme:, shprehet eksperti Olti Rrumbullaku..
Ashtu si shumë eksportues të mallrave, edhe shumë eksportues shërbimesh janë prekur nga rënia e euros, Rrumbullaku sugjeron të diversifikojnë operimin e tyre në treg që të shmangin paqëndrueshmërinë ekonomike.
“Shifrat e 2022 tregojnë që kemi pasur një rritje në këtë pavarësisht lëvizjes së kursit të këmbimit, patjetër është një sfidë për sektorin, por në momentin që do të ketë një rritje të kërkesës sektori duhet të ridimensionojë pjesën e kostove por dhe të kërkojë tregje më të reja dhe më të shtrenjta”, shprehet ai.
Treguesi i ndjesisë ekonomike në tërësi për muajin prill arriti vlerën e 114.6 pikëve, me një rritje të mëtejshme me 1.1 pikë %. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e bizneseve dhe individëve e konsiderojnë krizën thuajse të tejkaluar. (A2 Televizion)