
Të gjithë prisnin shkëlqimin e Griezmann apo Depay, në ndeshjen e parë zyrtare të Barcelonës pa Leo Messin, por ishte Martin Braithwaite heroi i fitores 4-2 të katalanasve ndaj Real Sociedad, në ndeshjen e parë të kampionatit spanjoll.
Me dy gola të shënuar dhe një asist, sulmuesi danez ishte më i miri në fushë, ndërkohë që “blaugranat” iu përgjigjën fitoreve të Real Madrid dhe Atletico Madrid.
Serinë e golave e hapi Gerard Pique, në minutën e 19, pasi goditi bukur me kokë një krosim të Depay. Ndërsa në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, Braithwaite dyfishoi rezultatin, po me kokë.
Në pjesën e dytë, danezi dërgoi në rrjetë një top të mbetur në zonën e Real Sociedad, duke çuar shifrat në 3-0, por kur dukej se gjithçka kishte përfunduar, miqtë shënuan dy gola të shpejtë me anë të Lobete dhe Oyarzabal (82’ dhe 85’), duke rihapur ndeshjen.
Por, në minutën e 91, Sergi Roberto vulosi fitoren duke dërguar topin në rrjetën e boshatisur, pas një pasimi të bukur të Braithwaite.
Ndërkohë, Rey Manaj, i cili ka marrë numrin 14 që mbante Johann Cruyff, nuk u aktivizua nga trajneri Ronald Koeman. (A2 Televizion)