City ka “harruar” si bëhet goli, Son i jep 3 pikët Tottenhamit

Nga A2 CNN
15 Gusht 2021, 19:26 | Futboll
City ka “harruar” si bëhet goli, Son i jep 3 pikët

Manchester City e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme Premier League-n. Ekipi i drejtuar nga Pep Guardiola u mposht 1-0 në Londër, nga Tottenham Hotspur, që luajti pa futbollistin kryesor dhe kapitenin Harry Kane. Arsyeja? City ka ofruar 150 milionë euro për sulmuesin anglez dhe nuk u pa e arsyeshme që të ishte pjesë e kësaj përballjeje.

Në mungesë të Kane, ishte Son ai që vendosi fatin e ndeshjes, me një aksion individual që e përfundoi me një goditje fantastike me të majtën nga jashtë zone, që përfundoi në cepin e poshtëm të portës së mbrojtur nga Ederson.

Kjo është ndeshja e dytë radhazi e sezonit (pas finales së Superkupës së Anglisë së humbur ndaj Leicester), që City nuk shënon gol. Nëse do të llogarisim edhe finalen e Champions të sezonit të shkuar, për City-n bëhen 3 ndeshje zyrtare radhazi ku nuk gjen dot rrugën e rrjetës.

Ndoshta, kjo është arsyeja pse Pep Guardiola kërkon me kaq ngulm Harry Kane… (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos