Qindra gra dhe burra të veshur me kostume tradicionale parakaluan në rrugët e qyteteve të Brazilit, për të nisur festimet e karnavaleve. Festë pesëditore arriti kulmin në Rio de Zhaneiro, por edhe në Sao Paulo, ku kostumet me ngjyra dhe maskat entuziazmuan publikun.
Numrat e kërcimit ishin gjithashtu, si zakonisht, në epiqendër të festimeve të karnavaleve, ku shkolla të ndryshme të sambës tregojnë aftësitë e tyre me lëvizje provokuese dhe artistike.
Karnavalet braziliane janë frymëzuar nga festa të ngjashme europiane që zhvilloheshin në kohën e pushtimit të kontinentit amerikan. Festa e parë është mbajtur në vitet 1640. Ndërsa 200 vite më vonë, në vitet 1840 nisi edhe përdorimi maskave, frymëzuar nga karnavalet italiane. Në vitin 1917 u fut për herë të parë edhe kërcimi i sambës, një muzikë tradicionale braziliane.
Përveç ndikimit italian, brazilianët kanë përfshirë gjithashtu tradita afrikane në veshjet dhe kostumet që përdornin pjesëmarrësit. (A2 Televizion)