

















Ata ishin qytetarë të thjeshtë të Ukrainës, duke jetuar jetën e tyre deri para nisjes së pushtimit rus. Sot, dhjetëra civilë janë transferuar në një kamp stërvitor në Britaninë e Madhe, ku po mësojnë se si të luftojnë, për t’i shërbyer atdheut të tyre. Kampi duket sikur është në Donbas, por në fakt është në jug të Anglisë.
Me ndihmën e oficerëve britanikë dhe me përkthyes në dispozicion, ata po stërviten për të gjuajtur me armë, si dhe për të zbatuar strategji mbrojtëse dhe sulmuese në fushën e betejës.
Sipas vlerësimeve ndërkombëtare, rreth 10 mijë ushtarë ukrainas dhe 5000 civilë kanë humbur jetën në këtë luftë, që ka kaluar muajin e gjashtë tashmë. Ndërsa sipas NATO-s, 15 mijë ushtarë rusë kanë vdekur në luftime.
Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Ukrainës, vendi do të ndihmojë në përgatitjen e rreth 10 mijë rekrutëve, të moshave 18-55 vjeç, të cilët do të luftojnë më pas për vendin e tyre. Deri tani, rreth 2000 të tillë kanë dalë nga kampet stërvitore në Britaninë e Madhe dhe janë kthyer në vendlindje. (A2 Televizion)