
Broja edhe një herë spektakolar në Premier League. Sot ekipi i tij Southampton kishte një ndeshje në transfertë kundër një nga ekipet më në formë të kampionatit, West Ham i vendit të gjashtë, por kur ke Brojën që luan me ty mund të shkosh kudo më i qetë.
Shqiptari nga Malësia e Madhe ishte padyshim pika e referimit të Southampton, që mori një fitore të madhe, 2-3 në Londër, duke iu larguar zonës së rrezikshme.
Broja nuk shënoi por jo vetëm ishte një rrezik i përhershëm për mbrojtjen kundërshtare që nuk arrinte si ta ndalonte kur ai nisej, por ishte edhe protagonist i golit të dytë, teksa një “shpërthim” i tij karakteristik u ndalua me një faull në zonën e rreptësisë, dhe pas disa minutave falë VAR u gjykua si penallti nga arbitri.
Madje edhe goli i tretë, ai i fitores, vjen nga një faull pikërisht mbi shqiptarin, që gjithmonë e më shumë shihet si e ardhmja nga ekipi që e ka në pronësi, kampionët e Europës së Chelsea. (A2 Televizion)