
Fitorja 2-1 e Tiranës përballë Partizanit ka vënë në dyshim dhe qëndrimin e trajnerit Ilir Daja në krye të pankinës së kuqe. Diçka të tillë e konfirmoi dhe vetë tekniku në intervistën pas ndeshjes ku theksoi se do të bisedojë me drejtuesit lidhur me të ardhmen e tij.
“Do të bëjmë një analizë dhe do të gjejmë ku janë gabimet. Do të flas me klubin për të ardhmen time dhe të disa lojtarëve Në këtë situatë të vështirë që jemi, njëri duhet të marrë përgjegjësinë ose disa e për këtë gjë do të flas me drejtuesit. Nëse është gjëja më e mirë për klubin që ta marr unë përgjegjësinë e golave të pësuar, atëherë do e marr unë. Dikush duhet të marrë përgjegjësinë në këtë momente dhe ai që e pëson është gjithmonë trajneri”, deklaroi trajneri i Partizanit.
Nga ana tjetër, tekniku bardheblu Orges Shehi u shpreh i lumtur me performancën e skuadrës, ndërsa shtoi se rruga drejt titullit kampion është akoma shumë e gjatë.
“Unë mendoj që jemi shprehur mirë, kemi qenë gjithmonë në krye, skuadra është shprehur mirë. Jemi meritë këtu, të vazhdojmë me këtë mentalitet dhe këtë ritëm. Ka akoma ndeshje që duhet të japim maksimumin tonë dhe të vazhdojmë kështu”, deklaroi trajneri i Tiranës.
Nga ana tjetër, duel i fortë ishte dhe ai i barazimit të Vllaznisë me Kukësit në Loro Boriçi. Një ndeshje e luftuar nga të dyja kampet, por në fund të dyja skuadrat ndanë vetëm një pikë.
‘’Gjëja më e rëndësishme është që ne reaguam në pjesën e dytë. Treguam shpirtin tonë karakterin tonë, shpirtin tonë. E di çfarë ka thënë presidenti për titullin, por nuk mund të jap tani një koment. Unë siguroj që çdo ndeshje çdo stërvitje do të japim maksimumin”, deklaroi Diego Longo, trajneri italian i Kukësit.
Për trajnerin e Vllaznisë Thomas Brdarcic ‘’ nuk është i drejtë rezultati. Sot pamë një Vllazni shumë të mirë dhe shumë të fortë. Mendoj se duhet të jemi shumë krenar për ekipin tonë pasi bëri shumë përpjekje. Ne nuk donim barazim pasi dhamë gjithçka, por do të shohim përpara!”.
Kategoria Superiore rikthehet në fushë në datën 15 janar me duelet e javës së gjashtëmbëdhjetë. (A2 Televizion)