
Banka e Shqipërisë apelon sektorin bankar që të rrisë kreditimin për ekonominë por njëkohësisht duke bërë kujdes nga kreditë e këqija. Por për bankat, rritja e huadhënies është në dorë të kërkesës. Megjithatë, ato shprehen të gatshme të financojnë çdo projekt nga individët dhe bizneset që krijon vlerë të shtuar në ekonomi.
“Si administrues i kursimeve të publikut, përgjegjësia dhe kujdesi i duhur në kreditim janë kushte të panegociueshme”, tha Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. “Vetëm gjatë vitit 2018, sektori bankar ka dhënë ekuivalentin e 1,1 miliardë eurove kredi të re”.
“Dëshira dhe vullneti i bankave për të plotësuar kërkesat e kompanive dhe individëve për kredi mendoj se është shumë i lartë. Kjo duket nga normat e refuzimit të kredive, që janë shumë të ulëta. Duhet kontribuar përmes huadhënies në të gjitha investimet që krijojnë vende të reja pune”, shtoi Silvio Pedrazzi, kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave.
Sipas të dhënave të bankës qendrore, duke hequr ndikimin e kursit të këmbimit dhe fshirjen e kredive të këqija nga bilancet, portofoli i kredisë bankare u rrit me 6% gjatë vitit të kaluar. Kjo rritje ka ardhur kryesisht nga kërkesa e individëve për konsum, ndërsa bizneset kanë qenë më pak aktive në këtë drejtim. (A2 Televizion)