Pabarazia, ekonomia “në duar” të Tiranës, Durrësit dhe Fierit

Nga A2 CNN
29 Maj 2019, 15:12 | Ekonomi

Qarqet e vendit po përjashtohen gjithmonë e më tepër nga përfitimet e zhvillimit të ekonomisë. Të dhënat e fundit të INSTAT zbulojnë se rritja ekonomike prej 3,8% në vitin 2017 u mbështet vetëm nga qarqet e Tiranës, Durrësit dhe Fierit. Në këtë trekëndësh përqendrohet edhe 2/3 e peshës së ekonomisë.

Kryeqyteti ka qenë ai që ka ndjerë edhe zhvillimin më të madh, teksa prodhimi i brendshëm bruto për këtë qark u rrit me 8.5%, krahasuar me vitin 2016. Pjesa tjetër e vendit regjistroi ritme rritjeje minimale, e madje tkurrje ekonomike, si në rastin e Vlorës, Korçës, Lezhës, Shkodrës dhe Kukësit.

Kjo shpërndarje e pabarabartë e rritjes ka thelluar edhe më tej hendekun e Prodhimit të Brendshëm Bruto për Frymë. Tirana regjistron nivelin më të lartë me 747 mijë lekë për frymë, teksa mesatarja e vendit është vetëm 540 mijë lekë. Madje nën këtë mesatare qëndrojnë 9 nga 12 qarqet e vendit, me Kukësin, Elbasanin dhe Dibrën si zonat më të varfra të vendit.

Përkthyer në fuqi blerëse, një qytetar shqiptar arrin të përballojë vetëm 30,4% të shpenzimeve që kryen një shtetas i Bashkimit Europian. Por nëse jeton larg trekëndëshit të ekonomisë, Tiranë, Durrës, Fier, kjo fuqi blerëse bie shumë më tej. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos