
Bullgarja Kristalina Georgieva u emërua ditën e djeshme si drejtoresha e re e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e para drejtuese e organizatës të përbërë nga 189 vende të botës që nuk ka lindur në një vend perëndimor, siç ka qenë gjithmonë tradita.
Georgieva nuk është një emër i panjohur, madje ka mbajtur poste tejet të rëndësishme gjatë karrierës së saj. E formuar fillimisht në Sofje, Georgieva më pas u specializua në universitetet më të njohura në botë, duke filluar nga London School of Economics dhe MIT.
Karrierën e filloi në Bankën Botërore, ku ka ngjitur të gjitha shkallët hierarkike duke kulmuar në rolin e Presidentes në detyrë, në pritje të kandidatit amerikan që drejton gjithmonë atë institucion, ndërkohë që FMN drejtohet gjithmonë nga një europian.
Georgieva ka qenë edhe komisionere e Bashkimit Europian, pikërisht për Emergjencat dhe Menaxhimin e Krizave. Bullgarja do të marri drejtimin e organizatës prestigjioze në 1 tetor. (A2 Televizion)