
Ndalet Bajerni i Mynihut në kampionatin gjerman. Kampionët bavarezë, të dehur ende nga suksesi në Botërorin e klubeve, u rikthyen në Bundesligë dhe kalendari kishte rezervuar një përballje të lehtë, të paktën në letër me Armina Bilefeld, skuadër që renditet në vendin e 16 në klasifikim. Por fusha, e mbuluar në njërën pjesë nga dëbora foli ndryshe.
Bajern e pëson nga pika e saj më e dobët, minutat e para të ndeshjes. Miqtë, të cilët e kërkojnë të shmangin rënien një kategori më poshtë, bëjnë një start të shkëlqyer të ndeshjes duke ndeshur kampionët që në minutën e 9. Befasia përsëriset edhe në të 37-tën, kur Arminia çon shifrat në 2-0 dhe në këtë formë i drejtohet dhomave të zhveshjes.
Flik arrin të shkundë skuadrën pas pushimit dhe Bajern rikthehet në fushë menjëherë me gol, me Levandoskin por surprizat nuk mbarojnë këtu, sepse skuadra mike nuk dorëzohet, madje shënon golin e tretë ende pa u mbyllur mirë festa e Levandoskit.
Minutat e mbetura janë të vështira për Arminian që tenton të mbrojë rezultatin, por Bajern shpalos më të mirën në fushë dhe ia del të barazojë me Toliso dhe Dejvis. Mbyllet në barazim 3 me 3 përballja e parashikuar që do të ishte një provë e kalueshme për bavarezët.
Një pikë e çmuar në zonën e ftohtë për Arminian dhe një ndalesë që nuk e shqetëson dhe aq Bajernin, që mbetet 5 pikë larg nga vendi i dytë në renditje. (A2 Televizion)