Investimet e huaja direkte në vend arritën në rreth 286 milionë euro gjatë tre muajve të parë të këtij viti, duke qëndruar në nivele të larta. Pavarësisht një rritje modeste prej 5 milionë eurosh, kundrejt një viti më parë, pjesa më e madhe e këtyre investimeve i takojnë projekteve ekzistuese në vend, si gazsjellësi TAP dhe hidrocentralet në lumin Devoll.

Ndryshe nga një vit më parë, kapitali i ardhur rishtas në vend është në rënie, ndërsa një pjesë e madhe e investimeve janë riinvestime nga fitimet e kompanive ekzistuese.
Energjia, industria nxjerrëse, sektori financiar dhe pasuritë e patundshme janë fushat ku janë përqendruar pjesa më e madhe e investimeve të huaja, teksa qëndrojnë jashtë vëmendjes fushat e tjera të ekonomisë që mund të rrisin prodhimin dhe punësimin. Për shkak të mungesës së diversifikimit të portofolit të investimeve të huaja, veçanërisht në fusha prioritare si turizmi dhe me përfundimin e projekteve madhore gjatë dy viteve të ardhshme, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon një rënie të ndjeshme të investimeve të huaja direkte.
Ndërsa qeveria i ka varur shpresat tek nafta, teksa Shell deklaron se përpos zbulimit në zonën e Shpiragut, duhen ende teste të tjera për të vlerësuar nëse është një investim i vlefshëm.
Një ndikim të fortë në uljen e fluksit të investimeve në vend pritet të ketë edhe kriza politike, si dhe kushtet e dobëta ekonomike në vendet partnere. (A2 Televizion)