
Një arkiv tejet i veçantë, ai që është vendosur në kështjellën Waddesdon, në Angli, është ekspozuar edhe në një nga vilat më interesante të kryeqytetit. Fotografi, imazhe, dokumente, harta dhe filmime, të vendosura në vilën “Bardha” sjellin si kryefjalë Butrinin, si thesar kombëtar dhe vend të trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Ekspzita vjen si një festë për 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-britanike, me përkujdesjen e ambasadorit Alastair King-Smith, i cili thekson se do të shërbejë për të vënë në pah rolin e Britanisë si dhe ngjarjet historike, studimet e personalitetet që ndihmuan “Vendin e Shqiponjave”.
Ky vit jubilar është një mundësi e shkëlqyer për të hedhur dritë mbi historinë e përbashkët dhe kontributin e figurave të ndritura që nga Lord Bajroni, Edëard Lear dhe Edith Durham te Aubrey Herbert dhe Lady Carnarvon, që nga Gjenerali George Fraser Phillips, Ruth Pennington dhe Morton Eden te Margaret Hasluck, Dayrell Oakley-Hill, Harry Hodgkinson dhe shumë të tjerë.
Alastair King-Smith, ambasadori britanik në Shqipëri, u shpreh: “Jam shumë i kënaqur që jam i pranishëm në këtë ekspozitë speciale mbi Butrintin dhe arkivin arkeologjik të prezantuar këtu. Është hera e parë që i shoh këto fotografi, imazhe dhe dokumente të bukura e me vlerë, por njëkohësisht edhe të njoh një vend fantasktik në Shqipëri. Por, gjithashtu është kënaqësi që me këtë event po festojmë 100 vite të marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona. Akoma më shumë, kemi për të festuar se marrëdhëniet tona diplomatike kanë shumë personalitete dhe histori që na bashkojnë në fushën e kulturës. Besoj do të kemi edhe shumë të tjera arsye për të festuar në të ardhmen.
Ndërsa Prof. Dr. Richard Hodges, arkeolog, tha: “Janë 30 vite punë arkeologjike që britanikët, por edhe unë, kam në këtë vend. Është vërtet si një event jo vetëm për ne që kemi punuar këtu dhe që sjellim këtë arkiv të çmuar, por edhe për përkujdesjen që duhet t’i japim trashëgimisë botërore. Unë jam i lumtur që me planin e menaxhimit të Butrintit ne kemi mundur që sot, grekët apo italianët që vijnë të vizitojnë Butrintin, të thonë: “Si ka mundësi që shqiptarët arritën ta menaxhojnë kështu këtë vend në 2022?”. (A2 Televizion)