
Sandër Beci është anëtari më i ri i Gjykatës Kushtetuese. Ai është i pari ndër tre anëtarët e Kushtetueses, që zgjidhen nga mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Emri i Becit u zgjodh nga kjo mbledhje e zhvilluar këtë të martë në Gjykatën e Lartë. Ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Beci, u shpall fitues me 7 vota pro, në një garë me katër kandidatë të tjerë.
Beci do të plotësojë vendin e lirë të krijuar në Kushtetuese pas shkarkimit nga vetingu të gjyqtarit Fatmir Hoxha, ndërkohë që emërimi i tij e çon në 8 numrin e anëtarëve të kësaj gjykate.
Paralelisht, Gjykata e Lartë ka nisur procedurën për plotësimin e vakancës së gjyqtares Vitore Tusha dhe Gani Dizdari. Plotësimi i tre vendeve në Kushtetuese nga Gjykata e Lartë, pas 6 të zgjedhurve nga Kuvendi dhe Presidenca, kishte mbetur në “ngërç” për shkak të numrit të ulët të anëtarëve në vetë Gjykatën e Lartë.
Emërimi në të i anëtares Arbena Ahmeti në 16 shkurt, krijoi kuorumin e nevojshëm prej 10 gjyqtarësh për Mbledhjen e Posaçme të gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë. (A2 Televizion)