Meta kthen ligjin për menaxhimin e buxhetit: Cenon parimin e ndarjes së pushteteve, rrezikon qëndrueshmërinë financiare

Nga A2 CNN
4 Gusht 2021, 13:11 | Politikë
Meta kthen ligjin për menaxhimin e buxhetit: Cenon parimin e ndarjes

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor. Në argumentimin e kreut të shtetit thuhet se cenon parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushtetit dhe rrezikon qëndrueshmërinë financiare të vendit.

“Akti Normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 25, datë 22.6.2021, nuk justifikohet as me “nevojën” dhe as me “urgjencën”, duke bërë që miratimi i tij me ligjin nr. 86/2021, të cenojnë disa parime kushtetuese si: ndarjen dhe balancimin e pushtetit; të shtetit të së drejtës; si dhe parimin e proporcionaliteti”.

Sipas Metës Qeveria është e detyruar të shpjegojë dhe argumentojë nevojën dhe urgjencën konkrete që e kanë detyruar të nxjerrë aktin normativ me fuqinë e ligjit.

“Ky detyrim ka karakter formal dhe substancial. Qeveria është e detyruar ta pasqyrojë shpjegimin në përmbajtjen e çdo akti normativ me fuqinë e ligjit që nxjerr, minimalisht në preambulën e tij.

Ndërkohë që në rastin konkret, ndryshimet e propozuara dhe të miratuara përmes Aktit Normativ nr. 25, datë 22.6.2021, të Këshillit të Ministrave, nuk përligjen me ndonjë nevojë, e aq më pak urgjencë. Akti normativ miratuar me ligjin nr. 86/2021, në nenet 1 dhe 2 të tij, bien ndesh me parimet e ligjit themeltar të shtetit dhe rrezikon qëndrueshmërinë financiare të vendit”.

Presidenti thekson se ndryshimet e miratuara në Aktin Normativ do të sjellin rrezikun real të lartë të rritjes së mëtejshme të borxhit publik.

“Së pari, nëpërmjet ndryshimeve të miratura në Aktin Normativ nuk preken vetem parimet qe lidhen me qëndrueshmërinë e borxhit, si dhe të kufirit të deficitit buxhetor, por nuk arrihen të zbatohen të gjitha parimet e parashikuara në nenin 4/1 të Ligjit Organik te Buxhetit (LOB), pikërisht të përdorimit të të ardhurave nga privatizimi për uljen e borxhit publik, si dhe parimin e displinimit të ndryshimit të ligjeve fiskale. Së dyti, ndryshimet e miratuara do të sjellin rrezikun real të lartë të rritjes së mëtejshme të borxhit publik, dhe të mosrespektimit të disiplinës financiare për administrimin fiskal si në drejtim të burimeve, ashtu edhe në drejtim të shpenzimeve publike”.

Sipas tij, Akti Normativ jo vetëm që nuk garanton realizimin e objektivit kryesor të politikës fiskale për një rikthim të raportit të borxhit ndaj PBB-së “poshtë nivelit 45% të saj, por përkundrazi do ta thellojë më tej rrezikun e qëndrueshmërisë së financave publike dhe do ta vendosë potencialisht në një krizë të rritjes së borxhit dhe përkeqësimit të treguesve makroekonomikë të vendit.

Për më tepër, qëndrimi se ndryshimet e propozuara në Aktin Normativ janë në linjë të plotë dhe me udhëzimet fiskale të Komisionit Evropian për vendet e BE të datës 2 qershor 2021, nuk mban në konsideratë as potencialin, as realitetin ekonomik të vendit, vijon arsyetimi i presidentit”.

Për më tepër, Meta thekson se fondi i vaksinimit anti-Covid-19, reflektuar një papërgjegjshmëri të lartë të qeverisjes jo vetëm në drejtim të mos mbështetjes së familjeve në nevojë, por dhe të mosakordimit të asnjë fondi në mbështetje të biznesit që gjithashtu është duke u përballur me pasojat e pandemisë.

“Fondi i vaksinimit anti-Covid-19, në masën 1 miliardë lekë është siguruar nga rialokimi i fondit, në të njëjtën masë, por të papërdorur, për skemën e rimbursimit në shtëpi të kurimit për Covid-19, duke reflektuar një papërgjegjshmëri të lartë të qeverisjes jo vetëm në drejtim të mosmbështetjes së familjeve në nevojë, por dhe të mosakordimit të asnjë fondi në mbështetje të biznesit që gjithashtu është duke u përballur me pasojat e pandemisë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos