Meta “kthen të huajt”: Kërkohet zëvendësimi i të rinjve me emigrantë

Nga A2 CNN
3 Gusht 2021, 11:29 | Politikë
Meta “kthen të huajt”: Kërkohet zëvendësimi i

Gushti është muaj pushimi por jo për Presidentin Ilir Meta. Këtë të martë ai ktheu për rishqyrtim ligjin për të huajt duke akuzuar parlamentin se ka miratuar një nismë për të favorizuar ardhjen e punonjësve nga vendet e treta, në një kohë që Shqipëria po shpopullohet.

Presidenti Meta ka kthyer për rishqyrtim ligjin për të huajt. Nisma e miratuar në parlament nuk gjeti dakordësinë e kreut të shtetit i cili mendon se ky ligj është miratuar për të sjell punonjës nga vendet e treta.

“Në realitet po përmbush vetëm një qëllim parësor dhe afatshkurtër, atë të plotësimi të atyre boshllëqeve që po krijon largimi masiv i shtetasve shqiptarë me shtetas të huaj, duke u fokusuar më shumë te fuqia punëtore që mund të ofrojnë shtetasit e vendeve të treta”.

Paradoksale për presidentin është fakti se Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të azilkërkuesve në rajon pasi nuk ofron pikërisht garanci ekonomike.

“Ai nivel trajtimi financiar dhe mundësi punësimi që nuk pranohet nga shtetasit e saj, mbetet i pranueshëm vetëm për shtetas të tjerë, që vijnë prej vendeve të treta, të cilët kanë standarde më të ulëta të kërkesave për punë dhe trajtim financiar”.

Krahas argumenteve se përse ky ligj nuk duhet miratuar, Meta ka edhe një kërkesë përparlamentin, që në këtë rast është ai i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.

“Shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit. Largimi i trurit dhe i rinisë është një plagë e madhe për vendin. Largimi i trurit dhe i forcave të reja dhe më krijuese të shoqërisë duhet ndalur sa më parë”. 

Dekreti presidencial do të merret në shqyrtim në shtator pasi të jetë konstituuar parlamenti i ri dhe formuar qeveria e re. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos