Presidenti Meta ka rrëzuar ndryshimet e fundit të ndërmarra nga Qeveria në Buxhetin e Shtetit gjatë muajit Qershor. Kthimi i ligjit për rishqyrtim në Kuvend vjen një ditë pas rrëzimit të aktit tjetër që lejonte rritjen e mëtejshme të borxhit publik. Në argumentin që jep Presidenti për kthimin e aktit të katërt normativ të buxhetit, evidentohet mungesa e nevojës dhe urgjencës për miratimin e tij. Sipas Metës, me përjashtim të shtimit të fondeve për blerjen e vaksinave, asnjë zë tjetër nuk e paraqet këtë urgjencë dhe tregon për një mangësi të madhe në planifikimin e buxhetit. “Edhe sot, Këshilli i Ministrave, pa treguar kujdesin e nevojshëm në përballimin e gjithë pasojave të saj, përdor si argument kryesor pandeminë, ndërkohë që duket qartë se qëllimin kryesor në ndryshimin e buxhetit të vitit 2021, e ka tek projekte të tjera, të cilat nuk lidhen me ndonjë urgjencë apo nevojë ekstreme, të tilla si: “blerje dronësh”, “mirëmbajtje sistemesh IT”, apo “transfertë specifike për Bashkinë Tiranë për ndërtimin e Teatrit të Ri”, duke i transferuar secilit prej këtyre institucioneve shumat respektive prej 1 miliardë lekësh”. Meta ndalet më tej tek projekti i Teatrit Kombëtar, një vepër që sipas tij është përcaktuar jashtë kompentencave apo pronësinë e Bashkisë, nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Në fund të argumenteve të tij, Presidenti i bën apel qeverisë dhe Parlamentit të ri, të reflektojnë për të ndërmarrë veprime të përgjegjshme për financat publike, që nuk vënë në rrezik qëndrueshmërinë e treguesve fiskalë. (A2 Televizion)
Buxheti dhe fondet e teatrit, Meta rrëzon qeverinë për ndryshimet e katërta emergjente
