
Diskutimet për arsimin kanë vijuar edhe në komisionin Parlamentar të Ekonomisë, aty ku ministrja e Financave, Anila Denaj iu përgjigj shqetësimit të opozitës sesi po përdoret ky draft për të penguar largimin e të rinjve jashtë vendit.
Sipas saj, ky është një ndër sektorët që do të marrë vëmendje të shtuar nga qeveria për vitin e ardhshëm, ku në fokus do të jetë veçanërisht arsimi profesional.
“Duam të dimë sesi ju e keni bërë buxhetin atraktiv që të rinjtë të mos largohen?. Sa efekt ka buxheti i këtij viti që rinia të mos largohet?”, ishin këto pyetjet e bëra nga deputeti i opozitës Artur Roshi drejtuar ministres së Financave, Anila Denaj.
“Të rinjtë sot, janë adresuar përmes politikave të qeverisë shqiptare me arsimin, si atë të lartë që ka marrë pjesën më të madhe të buxhetit, por edhe atë profesional. Shqipëria, përveç atraksionin për investitorët e huaj, duhet të rrisë dimensionin e arsimit profesional, shumë më tepër sesa vitet e mëparshme. Vendet e punës do të jenë ato që do të bëjnë të rinjtë të rrinë në Shqipëri”, u përgjigj ministrja e Financave.
Të dhënat nga drafti i buxhetit të vitit 2020, tregojnë se për vitin e ardhshëm, financimet për arsimin do të arrijnë në 45.4 miliardë lekë, me rritje rreth 9 për qind kundrejt buxhetit fillestar të këtij viti, duke mos plotësuar kështu kërkesën e studentëve për rritje të fondeve për arsimin deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. (A2 Televizion)