Buzë liqenit të Prespës, peshkatarët e Pustecit kërkojnë pikë grumbullimi

Nga A2 CNN
26 Maj 2022, 12:05 | Aktualitet
Buzë liqenit të Prespës, peshkatarët e Pustecit

Banorët e bashkisë së vogël të Pustecit, buzë liqenit të Prespës në juglindje të vendit, përveç bujqësisë dhe blegtorisë, kanë edhe peshkimin në liqen si një mënyrë për të siguruar të ardhurat për familjet e tyre. Tanimë që sezoni i peshkimit ka nisur, pas një periudhe ndalimi, peshkatarët e kësaj bashkie, duket se nuk janë shumë optimiste.

Pasi, siç shprehen ata, çmimet të gjitha janë rritur përveç çmimit të peshkut në Pustec. “E kemi shitur njëlloj peshkun, si kur ishte benzina 60 lekë, si kur ishte 120, si kur ishte 160. As e kemi ngritur as e kemi ulur”, thotë një banor.

Të pandihmuar ndër vite nga asnjë lloj subvencioni si në karburant ashtu edhe në pajisje, këta peshkatarë kërkojnë që të paktën të ngrihet një pikë grumbullimi të peshkut për bashkinë e tyre, në mënyrë që peshkun ta shesin atje, pasi edhe braktisja e zonës ka bërë që kërkesa për peshk të bjerë ndjeshëm. “Kërkojmë një pikë grumbullimi, por deri tani nuk është bërë. Shpresojmë që të bëhet”, thotë një tjetër banor.

Aktualisht, në bashkinë e Pustecit janë rreth 90 peshkatarë të regjistruar që me këtë punë përpiqen të sigurojnë të ardhurat e jetesës për familjet e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos