
Kandidati i Partisë Demokratike për Qarkun e Durrësit, Oerd Bylykbashi, deklaroi se njerëzit do të votojnë pa frikë në datën 25 Prill, pavarësisht patronazhistëve, sepse, sipas tij, “liria dhe sekreti i votës është më i madh kësaj radhe në qendrën e votimit”.
“Procesi është më i mbrojtur, por e gjitha kjo histori me patronazhistë tregon qasjen që ka Edi Rama. Ka dy gjëra: njerëzit janë të fryrë, nuk durojnë dot më këtë qeveri dhe e dyta, nuk kanë frikë. Pasi gjenden në kuti votat, nuk mund të futen vota shtesë. Duhen gjetur gishta të tjerë për ta bërë këtë gjë”, tha Bylykbashi.
“Sa i përket numërimit të votave, në procesin ankimor mund të hapet shumë lehtë çdo kuti. Një nga komisionerët e opozitës mund të hapë çdo kuti. Jo vetëm kaq, KQZ do të hapë 10% të kutive në çdo KZAZ dhe nëse shorti i bie numëruesve që kanë bërë numra me votat, ata shkojnë në burg. Janë disa garanci që kujt i shkon në mendje që të hedhë fletëvotimi në kuti, shkon në burg. Nuk ka qenë kështu më përpara”, shtoi Bylykbashi. (A2 Televizion)