
Kandidati i PD për qarkun e Durrësit Oerd Bylykbashi e ka konsideruar një ngjarje shumë të rëndë plagosjen në zyrën elektorale të PD-së të 27- vjeçarit. Në “Absolut 4” ai tha se ky është një atentat që synon të godasë opozitën dhe demokracinë. Sikurse edhe kreu demokrat Lulzim Basha, edhe Bykykbashi akuzoi kryeministrin Edi Rama si arkitekt të kësaj ngjarjeje, që synon t’i mbyllë gojën opozitës. Ai thekson se opozita nuk trembet, por mobilizohet dhe më shumë për të mbrojtur votën më 25 prill, ku Rama do të marrë përgjigjen e merituar.
“Vetë skena flet shumë për këtë ngjarje të rëndë, është atentat që është bërë në zyrat elektorale të PD, që synon të godasë opozitën; PD, Aleancën për Ndryshim dhe demokracinë është atentat kundër zgjedhjeve, me synim intimidimin e opozitës. Ka ndodhur edhe në të shkuarën, por ndodh në qendër të qytetit por nuk e trembin opozitën. Të dielën Rama që është arkitekti i kësaj gjendje tensioni në këtë situatë dhe përgjegjës për këtë situatë, merr përgjigjen e merituar. Pse ndodh në javën e fundit? Brenda zyrës së PD plagoset një funksionar i PD për t’i mbyllur gojën opozitës. Por opozita nuk trembet, por mobilizohet dhe më shumë për të mbrojtur votën dhe atë ditë merr përgjigjen kjo ngjarje”.
Bylykbashi sjell në vëmendje Elvis Roshin, i cili ka qenë i dënuar me gjobë për armëmbajtje pa leje dhe plagosje me dashje, por që është mbrojtur nga Rama. Sipas tij sulmi në zyrën e PD në Kavajë është politik dhe tregon rastin e një familjeje në Durrës, e cila sipas tij është dhunuar se mbante flamurin e PD në banesë.
“Elvis Roshi ka qenë i dënuar me gjobë për armëmbajtje pa leje dhe plagosje me dashje. I futi në bashki dhe i mbrojti. Pse mund të shkosh në një zyrë elektorale dhe të plagosësh përveç se për arsye politike në një familje në Durrës kanë dhunuar një familje pse mbajnë flamurin e PD. Këto situata janë tregues të nervozizmit. Më 25 shqiptarët do t’i japin përgjigjen e merituar”. (A2 Televizion)