Bylykbashi: Prokurorët duhet të jenë të pavarur nga bindja e tyre politike

Nga A2 CNN
20 Maj 2022, 21:43 | Politikë
Bylykbashi: Prokurorët duhet të jenë të pavarur nga bindja e

Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, në “Intervistë” me Merita Haklajn, në A2 CNN, deklaroi se sfida më e madhe e drejtësisë shqiptare është që “prokurorët të jenë të pavarur nga bindja e tyre politike”.

Kur u pyet nëse SPAK-u i duket i pavarur, Bylykbashi tha: “Me ligj duken të pavarur prokurorët, aq sa nuk pyesin as hierarkinë e tyre. Unë besoj se kjo nuk është gjëja e duhur. Prokurorët kanë sfidë që të jenë të pavarur nga bindja e tyre politike. Filtrimi i vetting-ut ka treguar dukshëm njëanshmëri politike. Ky është investimi më afatgjatë që po bën Rama në imunitet gjyqësor, pasi do të jenë gjyqtarë e prokurorë që po hyjnë rishtazi dhe do ia dinë për nder mazhorancës për vendin ku janë”.

“Para 6 vitesh, unë kam qenë shumë kritik deri në fund për problemet e Reformës në Drejtësi. Unë urova që të vijonim me konsensus, por kjo nuk ndodhi më pas. E vetmja pikë ku ne patëm dakordësi ishte SPAK-u, jo se ishte zgjidhje e mirë, por u pranuan disa propozime tonat që të mos kapej. Ne arritëm ta frenonim këtë gjë, me ndihmën e amerikanëve. SPAK-u ende nuk i ka numrat e mjaftueshme, ndërkohë që pritshmëria e publikut dhe e jona është shumë më e lartë. Nuk kemi ende një përgjigje, por kanë nisur ndoshta shenjat e para”, shtoi Bylykbashi.

Në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndaj SPAK-ut, Bylykbashi tha: “Korrupsioni është në duart e qeverisë dhe Edi Ramës i intereson që të krijojë diversione të këtij lloji. Ndoshta është dhe në siklet dhe po jep paralajmërimet e tij. Ndoshta po kërkon që të krijojë edhe alibitë që të ndryshojë bazën ligjore për Reformën në Drejtësi, duke e lënë SPAK-un në paqartësi politike”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos