Cakaj: Refuzimi i Kosovës në UNESCO, gabim historik

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2019, 15:04 | Politikë
Cakaj: Refuzimi i Kosovës në UNESCO, gabim historik

Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, i pranishëm në konferencën e UNESCO (Organizatës për Edukim, Shkencë dhe Kulturë i Kombeve të Bashkuara), zhvilluar në Paris, tha se refuzimi i aplikimit të Kosovës në këtë institucion ishte një gabim historik.

“Mbledhja e sotme do të ishte më e pasur dhe më e plotë nëse Republika e Kosovës do të ishte e pranishme sot”, citohet të ketë thënë kreu i diplomacisë shqiptare.

Nëpërmjet një reagimi në Facebook sa i takon çështjes së anëtarësimit të Republikës së Kosovës në UNESCO Ministri Cakaj ka theksuar: “Nënvizuam domosdoshmërinë e patjetërsueshme të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në UNESCO! Denoncuam fushatën dezinformuese të Serbisë ndaj Kosovës dhe e bëmë të qartë edhe njëherë: Shqipëria do të vazhdojë punën e pakursyer për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në UNESCO!”.

Në një reagim në llogarinë e tij në Twitter, Cakaj ka theksuar se një organizatë si UNESCO, që synon të arrijë universalizimin, nuk mund të mos ketë pjesë të saj një shtet të pavarur me potencial të lartë, si për këtë organizatë në përgjithësi, ashtu edhe për rajonin e Ballkanit në veçanti.

“Kosova si shteti më i ri i pavarur në Evropë, është një vend me potencial të jashtëzakonshëm, i cili nuk duhet të shmanget dhe nuk duhet të përballet më me fushatën çorientuese të Serbisë kundër saj”, shkroi Cakaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos