
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve serbë, të cilët shprehnin qartë se Masakra e Reçakut në Kosovë ishte një fabrikim dhe gënjeshtër.
Me anë të një postimi në Twitter, Cakaj e ka krahasuar Presidentin serb me Paul Joseph Goebbels, ky i fundit ministër i propagandës së Gjermanisë naziste.
“Joseph Goebbels i propagandës së Millosheviçit tani është shndërruar në kampion të mohimit, nënvlerësimit dhe trivializimit të krimeve të luftës. Skandaloze! Aktorët ndërkombëtarë duhet t’i dënojnë veprat e tilla përbuzëse dhe shtrembëruese të së vërtetës që i fyejnë viktimat dhe përpjekjet e pajtimit. Masakra e Reçakut nuk do të harrohet kurrë”, shkruan Cakaj në rrjetin social.
Të enjten, Vuçiç akuzoi ish-kreun e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, se ka trilluar masakrën e Reçakut, që ndodhi në janar 1999. Ai tha se “gjithçka është fabrikuar nga mashtruesi botëror, Walker”. Pas vrasjeve masive nga forcat serbe në Reçak, Walker shkoi në vendngjarje dhe tha se vrasjet ishin “krim kundër njerëzimit”. (A2 Televizion)