Caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut

Nga A2 CNN
21 Tetor 2019, 08:38 | Ballkani
Caktohet data e mbajtjes së zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut shkon në zgjedhje në 12 prill. Vendimi u njoftua nga kryeministri Zoran Zaev pas takimit disa orësh mes partive politike dhe Presidentit Stevo Pendarovski.

Zaev bëri të ditur se kishte propozuar që zgjedhjet të mbaheshin në dhjetor të këtij viti, por kjo datë u refuzua nga partitë opozitare. Ligji parashikon që 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, të formohet një qeveri teknike, e cila nuk do të drejtohej nga Zaev, por nga dikush tjetër i emëruar nga partia në pushtet, Lidhja Social-Demokrate. 

“Propozimi ynë ishte që në 22 ose 29 dhjetor të shkonim në zgjedhje. Kishte reagime nga opozita se nuk plotësohej kushti i 100-ditëshit të qeverisë teknike, prandaj u vendos që 12 prilli të jetë data kur do të mbahen zgjedhjet”, tha Zaev.

Vendimi për zgjedhje të parakohshme vjen pasi Maqedonia e Veriut nuk arriti të marrë datën për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kryeministri Zaev mori përgjegjësinë për refuzimin e Brukselit, edhe pse krerët e Bashkimit Evropian e quajtën atë një gabim historik të bllokut.

Opozita maqedonase, e cila ka kërkuar vazhdimisht zgjedhje të parakohshme, vlerësoi se caktimi i datës së zgjedhjeve do të shënojë edhe “fundin e pushtetit aktual” të udhëhequr nga Zoran Zaev.

“Zoran Zaev i ka ditët e numëruara. Po shihet fundi i bandës kriminale me në krye Zaev. Po perëndon koha e tenderëve dhe granteve kriminale zhvatëse, e presioneve politike, e padrejtësive dhe e mosndëshkimit të krimit”, u shpreh VMRO-DPMNE.

Një nga emrat që është lakuar si kryeministër i mundshëm teknik është Oliver Spasovski. Ndërsa VMRO-DPMNE-së si parti kryesore opozitare do t’i takojë posti i ministrit të Brendshëm, të Bujqësisë, ministrit të Punës Sociale si dhe poste zv/ministrash.

Poste ministrore do të ketë edhe për opozitën shqiptare.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos