Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka dekretuar datën e zgjedhjeve për kreun e ri të Bashkisë së Kukësit.
Kështu, sipas njoftimit për mediat të Presidencës, këto zgjedhje do të zhvillohen më 24 shtator të këtij viti.
“Presidenti dekreton datën 24 shtator 2023 si datën e Zgjedhjeve për Kryetar në Bashkinë Kukës
Presidenti i Republikës Sh.T.Z.Bajram Begaj shpalli sot dekretin nr. 186 datë 11.08.2023 për “ Caktimin e datës së zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Kukës”.
Presidenti caktoi datën 24 shtator 2023 si datën e zhvillimit të zgjedhjeve për Kryetar Bashkie në Bashkinë e Kukësit”.
Njoftimi i Presidencës

Zgjedhjet do të mbahen pas dorëheqjes së ish-kryetarit të saj, Safet Gjici, i cili u përfshi në një skandal seksual në zyrën e tij.
Gjici, së bashku me personin me të cilin u filmua duke kryer marrëdhënie seksuale, janë nën hetim, ndërsa ish-kryebashkiaku është pas hekurave.
Aktualisht, deri në zgjedhjen dhe emërimin e kryetarit të ri, Bashkia e Kukësit drejtohet nga Granit Gjana, zv.kryetar. (A2 Televizion)