Caktohet data për seancën e parë të rigjykimit të Saimir Tahirit

Nga A2 CNN
10 Dhjetor 2021, 12:41 | Kronikë
Caktohet data për seancën e parë të rigjykimit të

Gjykata e Posaçme e Apelit cakton datën 20 dhjetor për seancën e parë të rigjykimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtuesit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Apeli i Posaçëm njoftoi edhe shtimin në trupin gjykues me gjyqtarin e deleguar Engert Pëllumbi. Por pavarësisht kësaj, treshja e gjyqtarëve nuk është e plotësuar, pasi një nga dy gjyqtaret e mëparshme, Ilirjana Olldashi, ka dhënë dorëheqjen. Kështu që Gjykata duhet të delegojë sërish një gjyqtar të tretë që do t’i bashkohet Pëllumbit dhe Daniela Shirkës.

Kur vendosi të rikthejë edhe njëherë për gjykim në Apel çështjen e ish-ministrit të Brendshëm, Gjykata e Lartë vendosi që këtë herë çështjen ta drejtojë një tjetër trupë gjykuese, duke miratuar kërkesën e avokatit të Tahirit, Maksim Haxhia.

Gjatë dëgjimit të pretendimit të palëve në seancë, SPAK kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Apelit, që nga ana e tij kishte vendosur për kthim të çështjes në gjykim në Shkallë të Parë.

Rekurs për çështjen ka bërë edhe prokuroria, e cila i qëndron kërkesës për dënimin e Tahirit me 12 vite burg për “trafik narkotikësh” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Sipas prokurorisë, Tahiri dhe i bashkëpandehuri i tij, Jaeld Çela, kanë garantuar grupin e “Habilajve” në trafikun e sasive të mëdha të kanabisit nga Shqipëria në Itali.

Përballja e Tahirit me drejtësinë nisi në nëntor 2017, kur ai u dyshua si garantor i grupit të “Habilajve” në trafikun e drogës. Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda, rrëzoi akuzat për trafik droge e grup kriminal dhe e fajësoi ish-ministrin për “shpërdorim të detyrës”. Apeli i Posaçëm e vlerësoi si të gabuar rikualifikimin e veprës penale për ish-ministrin dhe ktheu dosjen për rigjykim në Shkallën e Parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos