
Ish-ambasadori shqiptar në Prishtinë, Arben Çejku, analizon rezultatet e para të zgjedhjeve në Kosovë, si një sinjal i qartë kundër politikës së vjetër në Prishtinë.
“Partitë e vjetra kanë nevojë për një ripërtëritje. LDK ka një rezultat më të dobët sesa pritej, disi më pak edhe PDK, të gjithë partitë e vjetra janë në rënie. Në thelb, Vetëvendosje tregon se klasa politike ishte në kushtet e nevojës për ndryshim, dhe shifrat e pasqyrojnë këtë. Kjo është një votë pikërisht kundër figurave të vjetra në politikë, më shumë se një votë pro, edhe pse Kurti ka arritur një profil gjithmonë e më në rritje”, në një fitore brenda pritshmërive, sipas ambasadorit.
Për Çejkun, zgjedhjet e sotme mund të përcaktojnë edhe fatin politik të një nga figurave më të njohura në Kosovë. “Haradinaj, në qoftë se nuk arrin të bëhet president, mbase mund të tërhiqet nga politika, sepse nuk mund të rrish në politikë pa frymëzuar qytetarët”.
Humbje e ndjeshme, për diplomatin, edhe për LDK, që sipas tij “ka një konsum në qeverisje, që nuk i ka sjellë rezultat por ka marrë vetëm kosto. LDK mori goditjen e parë të madhe në Podujevë, që ishte një bastion i asaj partie. Ndonjëherë partitë politike nuk arrin të kuptojnë marrëdhënien e tyre me bastionet, dhe me arrogancë i cilësojnë vetëm si hambar votash”.
Sipas tij, “hapi i parë i LDK duhet të jetë që në një garë të hapur të zgjedhë kryetarin e ri, për të riformatuar partinë, duke i krijuar një profil vërtetë europian, edhe pse bën pjesë e partive popullore europiane. Më vjen keq që Vjosa Osmani nuk gjeti vendin e vet në atë parti, sepse mund të ishte një lidership i mirë”. (A2 Televizion)