
Festivali Ballkanik i Filmit ka çelur edicionin e tij të 13-të në qytetin e Pogradecit. Nga viti të vit, ky festival po tërheq gjithnjë e më shumë të interesuar për të paraqitur punimet e tyre në zhanre të ndryshme të filmit.
Drejtori i festivalit, Eno Milkani, tregon risitë e këtij edicioni dhe kush është zhanri që mbizotëron.
“Në qoftë se sjell një gjë ndryshe, është ajo që filmat, dokumentarët e shkurtër, filmat vizatimorë, janë për të gjitha gustot. I kemi të gjitha këtë vit”, tha Milkani. “Është më tepër dëshirë për të prezantuar krijimtarinë ballkanike”.
Gjatë ditëve të këtij festivali, përveç filmave pjesëmarrës, në odeonin e Pogradecit do të shfaqen edhe filma shqiptarë të restauruar.
“Duke filluar me “Gjeneral gramafonin”, “Koncert në vitin 1936”, “Përrallë nga e kaluara”, “Vitet e pritjes”... Filma që ne i shikojmë nëpër televizione por me një cilësi shumë të dobët”, tha Milkani.
Në natën e parë të këtij festivali është shfaqur dokumentari “Legjendat e Gjolit” bazuar në dorëshkrimet e publicistit të njohur Fatos Baxhaku, realizuar nga Eno Milkani dhe Gerta Qurku. (A2 Televizion)