CES Las Vegas, risitë teknologjike të këtij viti

Nga A2 CNN
9 Janar 2019, 16:50 | Teknologji
CES Las Vegas, risitë teknologjike të këtij viti

Teknologjia është fjala e javës në Las Vegas, ku mbahet çdo vit eventi më i madh që mbledh prodhuesit më të mëdhenj dhe kompanitë e reja që prezantojnë inovacionet e tyre.

Një nga të përbashkëtat në stendat e panairit këtë vit janë rrjetet e internetit 5G, me shpejtësi të lartë dhe pothuajse në kohë reale, që do të fuqizojnë jo vetëm smartfonët, por edhe makinat autonome. Edhe automjetet janë shndërruar në një pjesë të rëndësishme të CES, ku prodhuesit më në zë tregojnë risitë dhe modelet e reja.

Këtë vit mjaft peshë do të kenë edhe televizorët. Madhësia është rritur, rezolucioni ka arritur në 8K, ndërsa LG ka debutuar madje një ekran transparent. Një nga shpikjet e prezantuara në panair është një shkop për të verbrit, që ka sensorë ultrasonikë për të dalluar pengesat, si dhe mund të lidhet me telefonat dhe të marrë të dhëna nga Google Maps.

Një tjetër shpikje që ka marrë vëmendje është edhe roboti që bën bukë dhe e shet atë. Makineria mund të bëjë 10 bukë në orë dhe do të testohet përgjatë muajve të ardhshëm në tre rrjete të mëdha supermarketesh në SHBA. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos