
Në fjalën e tij në deklaratën e përbashkët për mediat me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, Kryeministri Rama bëri të ditur datën se kur të mbahet këtë vit Samiti i Berlinit, që do të zhvillohet në Tiranë.
Sipas Ramës është rënë dakord që ky Samit të mbahet më 16 tetor në kryeqytetin shqiptar, ku do të zhvillohet gjithashtu edhe Forumi i Biznesit, në të cilin do të marrin pjesë biznese dhe kompani nga Shqipëria, rajoni dhe Gjermania.
“Dua ta falënderoj kancelarin Scholz për mikpritjen dhe vullnetin e qeverisë së tij për ta mbështetur Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në një periudhë kaq të rëndësishme për ne dhe për vetë Evropën.
I jemi mirënjohës të gjithë liderët e rajonit, duke qenë edhe se Samiti i Procesit të Berlinit për herë të parë është zhvendosur në rajonin tonë.
Jam i lumtur që Tirana është zgjedhur vendi i zhvillimit të këtij samiti. Është një samit ku do të parashtrohen objektivat e arritura dhe ato që duhen arritur më tutje. Po ashtu do të fuqizojë edhe bashkëpunimin rajonal.
Në këtë rrugë jemi me fat që Gjermania është një bashkudhëtar i përfshirë drejtpërdrejt. Me kancelarin kemi diskutuar edhe për disa aspekte të jetës ekonomike, sociale për disa elemente të rëndësishme të jetesës së standardeve të jetesës në BE.
Kemi folur edhe për procesin e integrimit, gjë që varet nga puna individuale e çdo shteti. Patjetër që kemi diskutuar edhe për rajonin. Qeveria jonë, unë personalisht e mbështesin fuqimisht planin e paqes dhe të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Një plan që të dyja palët duhet ta zbatojnë me gjithë seriozitetin e nevojshëm.
Më 16 tetor, do të mbahet Samiti, ku do të punojmë së bashku, ku edhe zyra e kancelarit do të angazhohet për zhvillimin e një forumi të biznesit, ku do të marrin pjesë vende të rajonit dhe biznese gjermane.” (A2 Televizion)
Kryeministri Rama në konferencën e përbashkët me Kancelarin Olaf Scholz