Konstituohet Këshilli i Himarës. Kryebashkiaku i zgjedhur në burg, nuk bën dot betimin

Nga A2 CNN
27 Qershor 2023, 17:20 | Politikë
Konstituohet Këshilli i Himarës. Kryebashkiaku i zgjedhur në

Zgjedhjet i fitoi nga burgu, por betimin si kryebashkiak nuk e bëri dot. Fredi Beleri i koalicionit opozitar Bashkë Fitojmë, prej 45 ditësh ndodhet në paraburgim nën akuzën e shitblerjes së votave.

Gjykata nuk i dha leje të ishte i pranishëm në mbledhjen e konstituimit të Këshillit të ri Bashkiak, i cili nisi me debate. Përkrahës të Belerit shfaqën pakënaqësinë që në fillim të mbledhjes në lidhje me pjesëmarrësit. Anëtarët kryen betimin dhe me shumicë votash zgjodhën kryetarin e ri të Këshillit, që është Dhimtër Kapaj i Partisë Socialiste.

Kapaj mori 13 vota kundrejt 8 votave të kandidates tjetër të opozitës, Afrodita Dhimojani, çka reflketon që shumica në Këshillin Bashkiak të Himarës është fituar në shumicë nga PS, edhe pse zgjedhjet për kryetar i fitoi kandidati i koalicionit opozitar, Fredi Beleri.

Pas konstituimit të Këshillit, debatet u rikthyen mbi ndjekjen e rendit të ditës. Ndryshe nga sa kërkoi përfaqësuesja e Belerit, kryetari i Këshillit Bashkiak nuk pranoi të lexojë vendimin e Gjykatës së Vlorës, që i jep atij mandatin si kryebashkiak.

Pas orësh debate, opozita në këshill u largua, duke deklaruar se do t’i drejtohet gjykatës. Në mungesë të betimit të Fredi Belerit, detyrën e kryebashkiakut e vijon Gjergji Goro, i cili rezultoi humbës më 14 maj. Vetë Beleri kishte përgatitur nga burgu letrën me të cilën do të përshëndeste për Këshillin e ri Bashkiak. Sipas tij, e drejta do të ndihmohet të dalë në dritë dhe nga ndërkombëtarët.

Seanca e konstituimit të Këshillit Bashkiak të Himarës u ndoq nga ambasadorja e Greqisë në Tiranë dhe kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i cili foli për rezistencë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos