
Drejtësia shqiptare duhet të regjistrojë procedimin penal ndaj kryeministrit në lidhje me akuzat e drejtësisë amerikane, ku përfshihet edhe Edi Rama. Kreu i grupit demokrat, Enkelejd Alibeaj, tha pas mbylljes së seancës se kreu i qeverisë hesht për shkak se është i inkriminuar.
“Në këto kushte kur është në lojë imazhi i shtetit shqiptar më e pakta do të ishte detyrimi për të ardhur në sallën e parlamentit dhe për të dhënë sqarime, nëse ka gisht apo jo në dhënien e 225 mijë dollarë për të stisur një luftë e sulm opozitës, apo nëse ka ndërhyrë në këtë konflikt interesi për t’i dhënë një oligarku rus fusha koncesionesh në Shqipëri. Heshtja u takon vetëm atyre që janë marrë të pandehur nga drejtësia shqiptare, e cila duhet të regjistrojë procedimin penal me akuza konkrete nga akuzat e drejtësisë amerikane. Unë e di farë mirë që nuk ka për të ardhur dhe heshtja e tij tregon inkriminimin. Sot vendi de facto nuk ka kryeministër”.
Alibeaj e konsideron përfshirjen e kryeministrit Rama në çështjen Mc Gonigal, vepër penale dhe kërkon procedim penal.
“Ne do të vazhdojmë të njëjtën gjë. Jemi para një vepre penale, është çështje e mbaruar që do të thotë unë kërkoj procedim penal. Procedim penal është rruga institucionale. Nuk ka ardhur për shkak të interpelancës, nuk erdhi as herën e kaluar dhe mesa duket nuk do të vijë as në seancat e tjera se unë dhe koleget e mi kemi paraqitur kallëzim penal. Frika nga drejtësia e ka bërë të tutet”.
I pyetur nëse do të marrë pjesë në protestën e opozitës të thirrur nga Sali Berisha më 11 shkurt Alibeaj u përgjigj: “Unë protestoj gjithmonë dhe do të jem gjithmonë bazuar në ligj dhe rregullore dhe e kam bërë këtë gjithmonë dhe do të jem atje ku bëhet goditja e drejtpërdrejtë e kryeministrit. Do ta shohim. Unë e kam dhënë përgjigjen më përpara”. (A2 Televizion)