
Mazhoranca socialiste pranoi një nga katër kërkesat e opozitës për çështjen McGonigal. Komisioni Hetimor, Interpelanca Urgjente dhe Seanca e pyetje-përgjigjeve me Ramën u hodhën poshtë nën argumentin e neneve të Rregullores së Kuvendit, ndërsa u pranua zhvillimi i një debati me mocion, e vetmja pikë ku prania e kryeministrit nuk është e detyrueshme.
Ndryshe nga një javë më parë, Konferenca e Kryetarëve pranoi zhvillimin e një seance të posaçme parlamentare për mocion me debat mbi çështjen McGonigal. Këtë qasje të re, Taulant Balla e argumentoi me mungesën e firmës së Sali Berishës në shkresën që u depozitua në Kuvend: “Konferenca e Kryetarëve ka marrë vendimin për zhvillimin e një mocioni me debat për çështjen McGonigal në SHBA. Ja, po e solle kërkesën siç duhet, natyrshëm pa firmën e Berishës, kërkesa miratohet”.
Por, mocioni me debat nuk do të thotë domosdoshmërisht përballje në foltoren e Kuvendit me kryeministrin Edi Rama.
Enkelejd Alibeaj u shpreh: “Ju thashë, është një lojë si e si për ta fshehur Ramën nga ca fakte, nga ca të vërteta të cilat nuk kanë dalë nga ne, por nga drejtësia amerikane”.
Në tryezën e Konferencës së Kryetarëve ishin edhe tre kërkesa të tjera të opozitës, ndër të cilat edhe ngritja e një komisioni hetimor, sërish për çështjen McGonigal, por nuk pati të njëjtin fat si mocioni me debat. Refuzimi erdhi me argumentin se më parë duhet të ndryshohet ligji për komisionet hetimore, shoqëruar me një akuzë për falsifikim firmash deputetësh.
Dy kërkesat e tjera ishin për zhvillimin e një seance të posaçme pyetje-përgjigjesh dhe një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama. E para ishte refuzuar me argumentin se nuk ishte e parashikuar në programin e punës, ndërsa tjetrën, Balla e cilësoi si të ezauruar në seancën plenare të datës 2 shkurt: “Interpelanca quhet e ezauruar dhe intepelancë për një çështje brenda një sesioni nuk mund të zhvillohet”.
Pavarësisht dakordësisë për një nga katër pikat, sërish palët nuk kanë rënë dakord mbi kohëzgjatjen e debatit në seancë dhe as për datën kur do të zhvillohet ajo. (A2 Televizion)