Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Nga A2 CNN
11 Shkurt 2021, 07:51 | Aktualitet
Çfarë duhet të dini për të nisur ditën?

Gjyqi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, mbahet sot seanca e radhës

Mbahet sot seanca e radhës në çështjen gjyqësore ndaj ish-anëtarëve të UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.  Kjo është seanca e tretë që prej arrestimit të tyre. Zyra e Prokurorit të Specializuar iu kërkoi gjyqtarëve që fillimi i gjykimit ndaj të katërve të jetë në shtator. “Koha e përcaktuar u jep shumë muaj për përgatitje mbrojtjes për një çështje të përcaktuar qartë, ndërkohë që njeh interesat themelorë të viktimave, dëshmitarëve dhe të drejtësisë, në uljen e rreziqeve të ndërhyrjeve dhe frikësimeve të natyrshme në një gjykim të zgjatur”, thuhet në shkresën e zyrës së prokurorit të specializuar, drejtuar gjykatës.

Drogë shqiptare kapet në Malin e Zi, 24 të arrestuar

24 persona ranë në pranga të policisë malazeze me akuzën e kontrabandës së marijuanës që si pikënisje kishte Shqipërinë dhe destinacion vendet e Bashkimit Evropian. Mes të arrestuarve nuk ka ndonjë shtetas shqiptar, por policia po heton rastin për të verifikuar edhe lidhjet e tjera me prodhuesit e lëndës narkotike në vendin tonë. Zonat kufitare mes Malit të Zi dhe Shqipërisë siç janë Lumi Buna, Liqeni i Shkodrës, zona e Malësisë dhe ajo e Vermoshit konsiderohen si territoret më të përshtatshme për trafikimin e lëndëve narkotike në drejtim të Malit të Zi dhe Europës. Si provë materiale u konfiskua gjysmë toni marijuhanë.

Pandemia në Greqi, hyjnë në fuqi masat e reja

Kryeqyteti grek aplikon masat shtesë nga sot në sajë të izolimit të tretë të vendit. Lajmin e bëri publik kryeministri Mitsotakis pas vendimit të marrë nga autoritetet respektive. Si pjesë e planit, është ndalimi i qarkullimit prej orës 21:00 deri në 05:00 dhe prej orës 18:00 deri në 05:00, gjatë fundjavave. Mbajtja e maskave është e detyrueshme si brenda ashtu edhe në ambientet e jashtme, mësimi do të zhvillohet online dhe një sërë biznesesh që klasifikohen si jo te domosdoshëm do të jenë të mbyllura. 

Koronavirusi, Gjermania shtyn masat deri më 7 mars

Pavarësisht shifrave optimiste të përballimit të pandemisë dhe incidencës në rënie të vazhdueshme, 16 kryeministrat e landeve gjermane nuk e vlerësuan të drejtë hapjen e bizneseve dhe lëvizjen e lirë në territorin gjerman deri të paktën, më 7 mars. Në fakt, një gjë e tillë u paralajmërua nga kancelarja Merkel që një ditë më parë.

Atalanta e Gjimshitit kalon në finalen e Kupës së Italisë

Atalanta është finalistja tjetër e Kupës së Italisë. Ekipi i drejtuar nga Giampiero Gasperini mposhti Napolin me rezultatin 3-1 dhe tashmë do të luftojë me Juventusin për trofeun e dytë më të rëndësishëm në Itali. Ata që vendosën këtë përballje ishin Duvan Zapata dhe Matteo Pessina. Kolumbiani shënoi golin e parë të takimit dhe dha dy pasime për gol, ndërsa mesfushori italian dërgoi dy herë topin në rrjetë. Ndeshje për t’u harruar nga ana Elseid Hysaj që u zëvendësua që në fundin e pjesës së parë, madje u vu në qendër të kritikave në momentin që nuk i dha dorën shqiptarit të Kosovës që luan te Napoli, Amir Rrahmani, në momentin që mbrojtësi kuqezi po largohej nga fusha. Festa ndërkohë i përket Berat Gjimshitit dhe skuadrës së tij që presin tanimë finalen e Kupës në datën 19 maj.

Sevilla dhe Umtiti “ia bëjnë malore” Barcelonës

Barcelona ka humbur ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit. Katalanasit u mposhtën në transfertë nga Sevilla me rezultatin 2-0 dhe tashmë i duhen të paktën 3 gola për të arritur finalen. Kounde në pjesën e parë dhe ish-futbollisti katalanas Rakitic, në fund të pjesës së dytë, ishin autorët e golave për vendasit. Në të dy golat, vlen për t’u theksuar që përcaktues u bënë dy gabime të mbrojtësit Umtiti. Kështu, Sevilla ka një këmbë në finalen e Kupës së Mbretit, ku do të ndeshet me fituesen e çiftit Athletic Bilbao-Levante.

Bayern Munchen në përballje me Tigres për të “pushtuar” botën

Pasi fitoi gjithçka që një klub mund të fitojë brenda një sezoni në Evropë, Bajern Mynih është gati të mbyllë në mënyrë perfekte kapakun e një sezoni që përtej vështirësive me pandeminë, ishte i jashtëzakonshëm. Kampionët gjermanë kërkojnë të vendosin në vitrinën e tyre të trofeve, edhe atë të Botërorit të Klubeve me të cilin do të vendoste hegjemoninë edhe në rang global. Për të arritur diçka të tillë, Bajern duhet të kalojë skuadrën meksikane të Tigres që ka zënë vendin tjetër të kësaj finaleje. Në dukje, është një mision i thjeshtë për bavarezët nëse do krahasohen nivelet e të dyja skuadrave. Edhe statistikat favorizojnë gjermanët, pasi në dekadën e fundit, skuadra që ka fituar Champions ka triumfuar edhe në Botërorin e Klubeve me përjashtim të finales së 2012, kur brazilianët e Korinthias eliminonin Chelsean. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos