
Përgatitjet për zgjedhjet, KQZ vendos sot për fletën e votimit
Mbeten dy muaj nga zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit dhe në këtë kuadër e gjithë vëmendja është aty. Punën kryesore në këtë kuadër e ka organizmi që merret me procesin zgjedhor që është KQZ. Sikurse gjithë kësaj javë, edhe sot ky komision do të jetë aktiv ku pritet që në mbledhjen e orës 17:30 të diskutohen detajet e fletës së votimit që do u jepen qytetarëve. Qëllimi është që mënyra e votimit të jetë sa më e thjeshtë dhe lehtësisht e kuptueshme nga të gjitha moshat.
Riatdhesimi i shqiptarëve nga Siri, Çuçi në Liban
Qeveria nuk ka hequr dorë nga riatdhesimi i shtetasve që gjenden në kampet siriane. Në këtë kuadër, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ndodhet në Bejrut të Libanit, ku u takua me drejtorin e përgjithshëm të sigurisë në Liban, gjeneral major Abas Ibrahim. “E falënderova gjeneralin për gjithë kontributin e tij të çmueshëm në këtë proces dhe e garantova për vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në çështje të sigurisë dhe sidomos në finalizimin me sukses të këtij operacioni të vështirë në një kohë sa më të shkurtër. Vizita në Bejrut është gjithashtu tregues domethënës i këmbënguljes së qeverisë shqiptare për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga Siria”, ishte deklarata e ministrit, në rrjetet sociale mbi këtë vizitë.
Rinumërimi i votave në Kosovës përfundon sot, KQZ: Rezultati të hënën
KQZ në Kosovë ka shtuar forcat për procesin e rinumërimit të votave dhe sot pritet të mbyllet përfundimisht në mënyrë që të hënën të jetë gati rezultati final i tyre. Këtë deklaroi zëdhënësi i KQZ, Valmir Elezi. "Me qëllim shpalljen sa më shpejt të rezultatit, KQZ ka shtuar kapacitetet e numërimit. Kësisoj në fillim të javës që vjen do mund të kemi rezultatin përfundimtar", tha ai. 494 qendra votimi u rinumëruan gjatë kësaj jave për dyshime për parregullsi në votim që lidheshin me prezencën e më shumë fletëve të votimit sesa votues.
Joe Biden urdhëron sulmin e parë ushtarak si president
Me urdhër të presidentit Joe Biden, Amerika sulmoi mbrëmë lokacionet e grupimeve ekstremiste të mbështetura nga Irani në Siri. Lajmin e konfirmoi për mediat zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes, John Kirby. “Goditjet u autorizuan në përgjigje të sulmeve të fundit kundër personelit amerikan dhe të koalicionit në Irak dhe kërcënimeve të vazhdueshme ndaj atij personeli”, tha ai. Kjo goditje ishte si një mesazh nga administrata amerikane, por që ishte e kufizuar për të mos përshkallëzuar tensionet në rajon.
Situata nga pandemia, liderët e BE: Nuk është momenti për të lehtësuar masat
Vendet e Bashkimit Europian theksuan njëzëri se nuk është momenti për lehtësim të masave të marra kundër Covid-19. “Situata epidemiologjike mbetet serioze dhe variantet e reja paraqesin sfida shtesë”, thanë krerët e shteteve dhe qeverive europiane në një njoftim për shtyp, pas një samiti me videokonferencë. “Për këtë arsye, ne duhet të mbajmë kufizime të forta, ndërsa rrisim përpjekjet tona për të përshpejtuar dërgesat e vaksinave”, shtuan ata. Në këtë pikë i bëhet edhe një herë apel kompanive të respektojnë kontratat dhe agjencive të nxitojnë në certifikimin e vaksinave të disponueshme.
Pandemia në SHBA, 50 milionë vaksinime në 7 ditë
Në Amerikë, presidenti donte të festonte ditën e djeshme 50 milionë vaksinat e bëra nga administrata e tij, në 37 ditë të qëndrimit në Shtëpinë e Bardhë. “Po përshpejtojmë me javë objektivin tonë të vaksinimit të 100 milionë amerikanëve për 100 ditë”, tha presidenti. Por prapë thekson se përballë kësaj pandemie asgjë nuk duhet parë si fitore dhe nuk duhet ulur vigjilenca. Në Kaliforni u fol dy ditë më parë për një variant të ri të koronavirusit që është edhe më ngjitës se të parët.
Moderna nis testimet e vaksinës për variantin e Afrikës së Jugut
Kompania Moderna nis sot testet e saj klinike për vaksinën e krijuar mbi variantin e ri të Afrikës së Jugut pasi rezulton si varianti i cili kundërshton pjesërisht imunitetin e krijuar nga trupi përballë virusit. "Ne kemi dërguar doza të vaksinës kundër variantit të Afrikës së Jugut për një studim klinik. Jemi të bindur se kemi gjetur formulën e duhur kundër tij”, thanë zyrtarë të kompanisë nëpërmjet një deklarate. Gjithashtu, kompania njoftoi zotimin e saj për rritjen e prodhimit të sasisë së vaksinave për këtë vit nga 600 në 700 milionë doza.
Flamuri gjigant kuqeblu, Vllaznia me stadium "europian", dekorohet "Loro Boriçi"
Një flamur gjigant, me sipërfaqe sa e gjithë tribuna karshi. Në pamundësi për të pritur tifozët për pjesën e mbetur të sezonit, klubi i Vllaznisë ka gjetur një mënyrë mjaft të bukur për të dekoruar dhe mbushur në një farë mënyrë stadiumin e saj. “Loro Borici” ka marrë pamjen e shumë prej stadiumeve më me emër në Evropë, ndërsa shkallët e saj janë veshur me ngjyrat kuq e blu, me simbolin e Vllaznisë dhe shkrimin: “Një skuadër, një ëndërr”. Me këtë zbukurim, si asnjë tjetër stadium në vend, ekipi shkodran bëhet gati të presë kampionët e Tiranës, me të cilët përballen këtë të shtunë. Vllaznia është skuadra që kryeson kampionatin shqiptar të futbollit, por në javët e fundit kuqeblutë kanë pasur një rënie, dhe diferenca me vendin e dytë tashmë është vetëm 4 pikë.
Shpërthimi i koronavirusit, shtyhet ndeshja Torino-Sassuolo
Torino-Sassuolo, ndeshja e programuar për mbrëmjen e sotme, nuk do të zhvillohet. Shkak, është një shpërthim i koronavirusit në radhët e klubit torinez, atje ku janë prekur plot shtatë futbollistë, duke nisur nga kapiteni Bellotti, e të tjerë si Baseli apo Linetti. Jo vetëm kjo ndeshje, por Torino mund të zhvendosë edhe takimin e ardhshëm kundër Lazios, teksa Liga Italiane e Futbollit kërkon të shmangë një përhapje edhe më të gjerë që do të ishte katastrofike në këtë pikë të kampionatit. Ndeshja mes Torinos dhe Sassuolos do të luhet në datën 17 mars. Po në këtë datë, është caktuar të zhvillohet edhe ndeshja e prapambetur, mes Juventusit dhe Napoli, ajo që duhet të kishte përfunduar në javën e dytë të Serisë A. Fillimisht u akordua 3-0 në tavolinë për bardhezinjtë, më pas vendimi u kthye dhe u vendos të riluhej, më në fund caktohet edhe data e zhvillimit të saj. (A2 Televizion)