
Nga sot, kontigjenti i vaksinave në dispozicion të autoriteteve shëndetësore zgjerohet me 15 mijë doza të tjera. Njoftimin e konfirmoi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, sipas së cilës brenda 10 ditëve priten edhe 14 mijë e 400 doza të tjera të vaksinës Astrazeneca në kuadër të programit Covax.
Diskutohen sot në Kuvend ndryshimet në buxhet
Në seancën e sotme parlamentare diskutohet për ndryshimet në buxhetin e këtij viti, koncesioni i skanimit të mallrave në doganë, ndryshimet në ligjin e barnave dhe përzgjidhet kryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, mes Gasper Marku dhe Leka Bungos. Nuk do të mungojë diskutimi jashtë rendit të ditës.
Basha firmos me Kryemadhin koalicionin paszgjedhor
Pasi firmosi koalicion parazgjedhor me 12 parti të vogla për zgjedhjet e 25 prillit, kryedemokrati Basha firmosi sot me Monika Kryemadhin koalicionin paszgjedhor me LSI-në. Takimi bëhet në orën 10:00 dhe firmosja e kontratës bëhet në shenjë uniteti për të dyja palët. Ndërkohë, si sot një javë, të gjitha partitë pjesëmarrëse në zgjedhje duhet të dorëzojnë në KQZ emrat e kandidatëve për deputet.
Rama në Bruksel takon presidenten e KE, Ursula Von Der Leyen
Procesi i integrimit në BE dhe ndihmat për Rindërtimin pas tërmetit të nëntorit 2019 priten të jenë tema të diskutimit që do të ketë sot në Bruksel kryeministri Rama me përfaqësues të Komisionit Evropian, përfshirë edhe presidenten Ursula von Der Leyen që e pret në orën 14:00. Pritet të mësohet qëndrimi i unionit pas akuzave të kohëve të fundit të kryeministrit mbi pajisjen me vaksina të vendeve që aderojnë të bëhen pjesë e Unionit.
Lajçak nis nga Kosova vizitën në Ballkan
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të hënën pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në Prishtinë. Në agjendën e takimeve të tij është parashikuar edhe Albin Kurti si personi që pritet të krijojë qeverinë e re në vend. Më pas, vizita vijon në Beograd ku takohet edhe me presidentin Aleksandër Vuçiç.
Mbi 20 milionë të vaksinuar në Britaninë e Madhe
Më shumë se 20 milionë persona kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër Covid-19 në Britaninë e Madhe që përbën edhe vendin e parë që nisi vaksinimin. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Matt Hancock, kjo është një arritje madhështore për vendin. Vaksina është rruga jonë për të dalë. Kur të merrni një telefonatë, vaksinohuni”, shkroi Hancock në Twitter.
Vaksina e Johnson and Johnson fillon aplikimin sot në SHBA
Vaksina e Johnson and Johnson fillon aplikimin sot në SHBA pas dritës jeshile që mori nga Agjencia për Ushqime dhe Barna. Kjo vaksinë, e cila merret vetëm në një dozë, është 85 për qind efektive kundër sëmundjes së COVID-19. Administrata Biden e vlerësoi “lajmin emocionues për të gjithë amerikanët”.
Fjalimi i Trump para republikanëve: Joe Biden është si mos më keq
“Muaji i parë i administratës Biden qe një tmerr i vërtetë”. Me këto fjalë e nisi fjalimin e tij në konventën vjetore të republikaneve ish-presidenti Donald Trump mes brohorimash të shumta në sallë. Vetë Joe Biden është si mos me keq, shtoi ai, ndaj ka shumë gjasa të kandidoj prapë. Udhëtimi ynë është shumë larg fundit. Mos u besoni mediave. Nuk ka dhe nuk do të ketë një parti të re. Do të jemi po ne”, u tha të pranishmëve. Sipas një sondazhi, 59 për qind e republikanëve e mbështet Trump brenda partisë me 54 për qind që duan që ai të rikandidojë.
Vrasja e gazetarit Xhamal Khashog, Biden mban sot qëndrimin amerikan
Presidenti Joe Biden flet sot për qëndrimin e Amerikës në lidhje me vrasjen e gazetarit Xhamal Khashogi. Sekretari i shtetit Anthony Blinken u kujdes të sqarojë se Amerika nuk kërkon prishje të marrëdhënieve dypalëshe. Arabia i hedh poshtë gjetjet se Princi i Kurorës porositi vrasjen e tij. "Raporti përmbante informacione dhe konkluzione të pasakta”, shkruhet në deklaratën e shpërndarë në media. (A2 Televizion)