
Komiteti i Ekspertëve: Karantinë për këdo që vjen nga RMV dhe Greqia
Komiteti Teknik i Ekspertëve njoftoi rikthimin e karantinës për personat që hyjnë në territorin tonë nga Greqia apo Maqedonia e Veriut. Ky vendim që ka afat deri më 3 maj vjen në një moment kur nga qeveria jonë iu bë thirrje autoriteteve greke që të lejojnë kalimin e shtetasve me kombësi shqiptare që të kalojnë kufirin për mos t’u mohuar mundësinë të zgjedhin me votën e tyre më 25 prill, por ky vendim ia heq atyre përfundimisht këtë mundësi. Por në vetvete vendimi qëndron duke pasur parasysh që në këto vende fqinje, situata me koronavirusin paraqitet më keq.
Plagosja në zyrën e PD-së në Kavajë, Meta: Ky është krimi i fundit në kohë zgjedhjesh
Bledi Oshtuni, 27 vjeç mbeti i plagosur në një zyrë elektorale të PD-së në Kavajë mbrëmë, kur Ndriçim Jonuzi, për motive të dobëta e ka plagosur atë në këmbë. Jonuzi, i njohur ndryshe edhe si Ndriçim Tahiri, është emër i njohur për drejtësinë pasi në 2014-n është arrestuar dhe ka vuajtur një dënim për një krim të kryer në një prej vendeve të BE-së. Në lidhje me ngjarjen reaguan të gjitha palët politike ku nuk mungoi as presidenti që shkoi vet në Kavajë dhe paralajmëroi që ky të jetë krimi i fundit në kohë zgjedhjesh.
Depot ilegale të armëve, prejardhja SHBA, destinacion Mali i Zi
Armët që shiteshin në vendin tonë dhe u konfiskuan nga policia në sajë të operacionit të titulluar “Kompleks” kishin si vend origjine SHBA-në. I penduari i drejtësisë, Enver Jamaku, u ka thënë hetuesve këtë informacion. Por nuk mungonin edhe armët nga Mali i Zi që në fakt përbënte edhe destinacionin final të shitjes së tyre. Falë dëshmive të Jamakut, 9 persona u vunë në pranga në lidhje me këtë ngjarje dhe disa të tjerë u shpallën në kërkim.
“Reporterët pa kufij”: Gazetaria në Shqipëri është problematike
Në Shqipëri, gazetaria nuk është e besueshme. Këtë vëren raporti më i fundit i “Reporterëve pa kufij” që thekson se në vendin tonë sikurse Kosovë apo të tjera vende fqinje, gazetaria paraqitet problematike, por në dallim nga viti i mëparshëm ka përmirësim. Raporti vëren se vetëm në 7 për qind nga 180 vende të globit të marra në shqyrtim, gazetaria është e lirë dhe e vërtetë, në të gjitha të tjerat është shqetësues realiteti. Kosova paraqitet më keq se vjet, por në renditje pozicionohet më mirë se ne. Kosova gjendet në vendin e 78, ndërsa Shqipëria në të 83-in.
BE kontratë tjetër me Pfizer për 100 milionë doza vaksinë
100 milionë doza shtesë për BE-në nga kompanitë Pfizer dhe Biontech janë konfirmuar mbrëmjen e djeshme në një kohë kur unioni shprehu bindjen se në të ardhmen nuk do të nënshkruajë më kontrata me kompanitë e tjera. Marrëveshja pason vendimin e Komisionit Europian për të ushtruar mundësinë e tij për të blerë një shtesë prej 100 milionë dozash nën marrëveshjen e zgjeruar të blerjes, të nënshkruar më 17 shkurt. Kjo do të thotë që numri i përgjithshëm i dozave që do të dorëzohen në BE do të jetë 600 milionë. 250 milionë të tilla do të dorëzohen brenda muajit qershor.
Pasi hoqi maskat, Izraeli siguron vaksinat për vitin e ardhshëm
Izraeli është i pari shtet që hoqi përdorimin e detyrueshëm të maskave në ambiente të hapura pas imunizimit të popullatës, falë vaksinimit të hershëm. Por nuk u ndal me kaq. Vendi ka nënshkruar një marrëveshje me Pfizer-BioNTech për të blerë miliona doza të vaksinës për vitin 2022. Konfirmimin e dha kryeministri Benyamin Netnayhu. "Izraeli - nënvizoi ai - do të vazhdojë të drejtojë luftën globale kundër Covid-19. Nuk do të ketë më bllokime, ato kanë mbaruar". Në fund nuk fshehu edhe ambicien e tij për të firmosur një marrëveshje të ngjashme edhe me kompaninë Moderna.
Reagimet e protagonistëve të gjithë kundër Super League: E turpshme!
Nga presidenti i UEFA-s, te figurat e rëndësishme të futbollit, të gjithë janë shprehur kundër krijimit të Superligës Europiane, ashtu si edhe klubet gjermane të Bajernit të Mynihut dhe Borusia Dortmund. Ndërkohë, sindikata e lojtarëve futet në luftën mes palëve, për të mbrojtur futbollistët, që rrezikojnë përjashtimin nga ekipet përfaqësuese. (A2 Televizion)