Massafra mesazh solidariteti për plagosjen te xhamia në Tiranë: I tronditur. Ngjarje të tilla të mos përsëriten më

Nga A2 CNN
19 Prill 2021, 19:31 | Aktualitet
Massafra mesazh solidariteti për plagosjen te xhamia në Tiranë: I

Kryetari i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë Angelo Massafra ka reaguar për sulmin me thikë të ndodhur sot në xhaminë “Dine Hoxha” te Rruga e Kavajës në Tiranë. Në mesazhin e tij drejtuar kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu,  imzot Massafra  thekson se është i tronditur për ngjarjen dhe shpreh solidaritetin e të gjithë Kishës katolike në Shqipëri. Ai shpreson që kjo ngjarje të zbardhet sa më shpejt dhe ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

“Lajmi i sulmit me thikë nga një individ në xhaminë e Dine Hoxhës në Tiranë ku kanë mbetur të plagosur disa besimtarë myslimanë na ka tronditur të gjithëve.

Duke shpresuar që ngjarja të zbardhet sa më shpejt në të gjitha detajet e saj, ju shprehim juve, e nëpërmjet jush, të plagosurve e familjeve të tyre, afërsinë e solidaritetin e të gjithë Kishës katolike në Shqipëri.

I lutemi Zotit për ju të gjithë, që po jetoni edhe muajin e Ramazanit, për të plagosurit, për komunitetin tuaj e të gjithë shqiptarët që paqja dhe e mira të mbretërojë në zemrat tona e që ngjarje të tilla të mos përsëriten më”, shkruan Massafra. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos