Çfarë ka ndodhur këtë javë në botë? Nga alarmi prej Omicron, te diskutimet për vaksinim të detyruar në BE

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2021, 11:57 | Bota
Çfarë ka ndodhur këtë javë në botë? Nga

Varianti i ri dhe takimi urgjent i G7

Varianti i ri i koronavirusit i zbuluar fillimisht në Afrikën e Jugut, ka ngritur alarm në Europë dhe në botë për shkak të fuqisë së tij transmetuese.
Ministrat e shëndetësisë të G7-s mbajtën një takim urgjent në lidhje me Omicronin, i cili po përhapet në të gjithë botën dhe po detyron mbylljen e kufijve, ndërsa ekspertët po përpiqen të përcaktojnë nivelin e kërcënimit që paraqet lloji i ri.

Gjoba për vaksinimin

Shumë vende të Europës do të zbatojnë ndëshkime ndaj qytetarëve që refuzojnë vaksinat anti-covid.
Austria do të nisë fushatën e vaksinimit të detyruar më 1 shkurt dhe ata që refuzojnë imunizimin rrezikojnë gjobë deri në 3600 euro.

Ndërkaq, grekët mbi 60 vjeç që nuk janë vaksinuar duhet që deri në datën 16 janar, të rezervojnë një takim për dozën e parë. Përndryshe çdo muaj do të përballen me gjobë administrative prej 100 eurosh.

BE do të marrë në konsideratë vaksinat e detyrueshme

Bashkimi Europian duhet të diskutojë mundësinë e vaksinimit të detyrueshëm, për të luftuar valën aktuale të infektimeve me Covid-19, e gjithashtu variantin e ri Omicron. Kështu u shpreh presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, e cila tha se dy ose tre vite më parë, nuk do ta kishte menduar kurrë, një diskutim të tillë.

Angela Merkel tërhiqet nga detyra përmes një ceremonie

Angela Merkel u tërhoq nga detyra me një shfaqje ushtarake të mbajtur në nder të saj të enjten në mbrëmje, para se zyrtarisht t’i dorëzojë pushtetin Olaf Scholz në gjysmën e parë të javës së ardhshme.

Njihuni me republikën më të re në botë

Pas afro 400 vitesh, Barbados u shndërrua zyrtarisht në republikën më të re në botë
Në ceremoninë e origjinës së saj, s'mund të mungonte Rihanna, e cila u shpall gjithashtu heroinë kombëtare.

Ngjarja e rëndë në gjimnazin Oxford të Michiganit, 3 viktima dhe 8 të lënduar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një gjimnaz të Michiganit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një 15-vjeçar ka vrarë 3 studentë dhe ka plagosur 8 të tjerë, përfshirë këtu edhe një mësuese.

I dyshuari për masakrën, një student në vitin e dytë, u arrestua nga policia. Sipas mediave amerikane, ai ka qëlluar me armë zjarri 20 herë.

4 persona humbën jetën në Stamboll prej erërave të forta

Erërat e forta i morën jetën të paktën 4 personave dhe plagosën 19 të tjerë në Stamboll dhe disa qytete të tjera në Turqi. Stuhia shkaktoi dëme dhe kaos të madh prej erës që frynte me shpejtësi deri në 130 kilometra në orë.

Politikania nga Zelanda e Re shkon për të lindur me biçikletë

Një prej anëtarëve të parlamentit të Zelandës së Re, Julie Anne Genter, mori biçikletën e saj në muajin e 9-të të shtatzënisë dhe u nis drejt spitalit për të sjellë në jetë bebushin vetëm 1 orë më vonë.

Filmi “Red Notice” thyen rekordin e Netflix

Filmi më i ri “Red Notice” është bërë filmi më i shikuar në Netflix, me 328,8 milionë orë shikime, pavarësisht vlerësimeve të ulëta nga kritikët.

“Red Notice” u shfaq për herë të parë në Netflix në datën 5 nëntor. Në kinema, ai ka grumbulluar vetëm 2 milionë dollarë, nga 200 që ka kushtuar prodhimi i tij.

Fashion Awards 2021, stilistja e vitit shpallet shqiptarja Nensi Dojaka

Eventi prestigjioz i Fashion Awards është rikthyer nën drejtimin e aktorit Billi Porter. Nata më e rëndësishme e modës shqiptaren Nensi Dojaka, me çmimin prestigjioz si stilistja e vitit për talentet e reja, në Britaninë e Madhe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos