Çfarë ndodh tani në Afganistan? Intervista për CNN, talebanët premtojnë siguri e gjithëpërfshirje

Nga A2 CNN
16 Gusht 2021, 17:00 | Bota
Çfarë ndodh tani në Afganistan? Intervista për CNN,

Rikthimi i talebanëve në pushtet është tanimë një realitet dhe Afganistani pritet të kthehet shpejt në Emiratet Islamike. Por, çfarë ndodh tani? Nëse regjimi telaben do t’i ngjasojë atij të viteve ‘90, vendin e pret një përkeqësim dramatik i lirive civile, veçanërisht për gratë dhe vajzat. Por, në një intervistë për CNN, një përfaqësues i lartë i talebanëve premton një qeverisje ndryshe.

Sohail Shaheen, zëdhënës i Talebanëve: Prioritetet tona janë ruajtja e sigurisë dhe në ditët në vijim do të krijojmë një qeveri të re; një qeveri gjithëpërfshirëse Islamike.

Nic Robertson, CNN: Njerëz jashtë radhëve të talebanëve do të jenë pjesë e qeverisë?

Shaheen: Po, do të jenë. Kur themi qeveri gjithëpërfshirëse, nënkuptojmë se edhe të tjerë do të kenë mundësi të bëhen pjesë e qeverisë.  

Robertson: A do t’i kërkoni ushtrisë aktuale afgane të bashkojë forcat me ju për të garantuar sigurinë?

Shaheen: Ata që do të dorëzojnë armët dhe do t’i bashkohen forcave tona, do të sigurojnë amnistinë; jetët dhe pronat e tyre do të jenë të sigurta. Emrat e tyre do të shënohen në regjistrat tanë; do të jenë një lloj force rezervë, kështu kur të vijë koha, do t’i thërrasim.

Robertson: Shumë njerëz, ashtu si dhe unë, pyesin mbi arsimimin e vajzave. Kjo ishte një çështje shumë e rëndësishme për SHBA dhe një prej gjërave që kërkon të lerë trashëgimi në vend. Çfarë do të bëni me arsimimin e vajzave? A do të jenë në gjendje ato të studiojnë nga mosha 12 deri në 18 vjeç, a do të munden të shkojnë në universitet?

Shaheen: Po, sa i përket kësaj, politika jonë është e qartë. Vajzat mund të vijojnë arsimimin nga shkolla fillore në të lartë. 

Robertson: Si mendoni, pse ofensiva e forcave tuaja rezultoi e suksesshme? Të gjithë u befasuan…

Shaheen: Pasi ne kishim rrënjë mes popullit. Pasi ishte një revoltë popullore dhe ne e dinim këtë.  

Robertson: Po për diplomatët, shtetasit e huaj dhe gazetarët në Afganistan, çfarë politike do të ndiqni?

Shaheen: Ata mund të vijojnë punën e tyre. Ambasadat duhet të funksionojnë. Ne jemi të përkushtuar të garantojmë një ambient të sigurt për ta. Jo vetëm për diplomatët dhe ambasadat, por edhe OJQ-të e huaja.  

Robertson: A po komunikoni me amerikanët për largimin diplomatik në aeroport?

Shaheen: Ne u thamë amerikanëve se nuk duhet të evakuojnë ambasaën, pasi ne nuk do të shënjestronim atë. Do të garantonim një ambjent të sigurt për funksionimin e saj.

Robertson: Atëherë, kur i thoni amerikanëve se duhet të qëndrojnë në ambasadë dhe ata largohen, si e interpretoni. E shihni si mungesë besimi?

Shaheen: Ata duhet të na besojnë dhe arsyeja për të cilën Shtetet e Bashkuara duhet të besojnë talebanët është se ata u dhanë fjalën se nuk do të sulmonin kur forcat amerikane po tërhiqeshin, dhe e mbajtën premtimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos