Chelsea dorëzon ofertën, thyen rekordin e transferimeve për Enzo Fernandez

Nga A2 CNN
28 Dhjetor 2022, 12:36 | Futboll
Chelsea dorëzon ofertën, thyen rekordin e transferimeve për Enzo

Chelsea ka dorëzuar zyrtarisht një ofertë me vlerë 130 milionë euro për të blerë yllin e Benfica-s, Enzo Fernadnez, të paktën kështu raportojnë mediat portugeze. Nëse shifra konkretizohet, atëherë mesfushori argjentinas, i sapo shpallur kampion bote, do të bëhej lojtari më i shtrenjtë në histori.

Sipas gazetës portugeze “Record”, përveç londinezëve janë edhe disa klube të tjerë të interesuar për Fernandez, të shpallur lojtari i ri më i mirë i Botërorit. Por deri tani, vetëm Chelsea ka konkretizuar ofertën me shumën e majme, që tejkalon edhe klauzolën e kontratës së 21-vjeçarit, prej 120 milionë eurosh.

Fernandez shihet nga drejtuesit e Chelsea-t si njeriu i duhur për të zëvendësuar dy veteranët e mesfushës, Jorginho dhe N’Golo Kante, të cilët duket se do të largohen nga klubi në verë. Blutë janë gjithashtu pranë blerjes së një tjetër mesfushori, 18-vjeçarit brazilian Andrey Santos, nga Vasco da Gama.

Sipas “Rrcord”, vendimi për të rritur kaq shumë ofertën është bërë për të mposhtur konkurrencën e Newcastle dhe Liverpool për lojtarin, të cilët gjithashtu janë të interesuar për të. Presidenti i Benfica-s, Rui Costa, raportohet se po përpiqet ta mbajë lojtarin, por përballë këtyre shifrave vështirë se do të mund t’ia dalë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos