Cikalleshi gëzon Panucci-n, Sadiku eliminohet në Kupë

Nga A2 CNN
1 Mars 2019, 15:59 | Futboll
Cikalleshi gëzon Panucci-n, Sadiku eliminohet në Kupë

Nuk ndalen sukseset e kuqezinjve të Christian Panucci-t në kampionatet europiane të futbollit. Sokol Cikalleshi së bashku me skuadrën e tij, Akhisaspor, ia dolën të kualifikohen në gjysmë finalet e Kupës së Turqisë.

Ata mundën sërish rivalët e Kasimpasha, këtë herë me rezultatin 2-1. Sulmuesi nga Kavaja ishte protagonist në duelin e parë atje ku arriti të shënojë dy gola mjaft të rëndësishëm. Në duelin e kthimit Cikalleshi u aktivizua për 63 minuta pasi u detyrua te lere fushën e lojës për shkak të një dëmtimi.

Ndryshe nga Cikalleshi, Armando Sadiku nuk ka mundur të gëzojë teksa Lugano është eliminuar nga Kupa e Zvicrës në çerekfinale. Skuadra e bomberit kuqezi u mund 3-2 nga Thun duke i dhënë fund aventurës në Kupë. Ndryshe nga kampionatet e tjera, në Zvicër ndeshjet zhvillohen me eliminim direkt dhe jo me dy takime. Sadiku ishte titullar përgjatë 90 minutave në humbjen e Luganos. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos