Një pjesë e përfaqësuesve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit rikthejnë në vëmendje kontratën e nënshkruar në korrik të 2019-s me Partinë Demokratike, duke i kërkuar kreut të opozitës ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Në letrën drejtuar Bashës, përfaqësuesit e kësaj Aleance kërkojnë edhe konsultim me grupe të interesit çka 10 muaj pas nënshkrimit të kësaj kontrate ende nuk ka ndodhur.
“Në këto kushte, ne gjykojmë se zgjidhja e vetme është miratimi i sistemit proporcional kombëtar, me lista të hapura, si e vetmja alternativë për ndryshimin e sistemit, pa ndërhyrje në Kushtetutë”, shkruhet në letrën drejtuar kreut të opozitës.
Kërkesa për të përmbushur këtë pikë të kontratës, të nënshkruar në korrik vjen nga disa përfaqësues të aleancës si Kastriot Çipi, Andi Tepelena, Martin Gjonaj e Adriatik Llapaj. Ndërsa një pjesë tjetër e Aleancës e ka përqendruar betejën në rindërtimin e teatrit ashtu siç ishte.
(A2 Televizion)