
Edhe kjo fundjave që shkoi ishte e mbyllur për banorët e kryeqytetit, të cilët as dilnin dhe as hynin dot në Tiranë. Vendimi për këtë u njoftua nga kryeministri të premten mbrëma, në një moment kur qytetarët, ndoshta, ishin duke bërë planet, më në fund, për të provuar të dilnin nga Tirana, pas shumë javësh izolim total.
Por, si po merren këto vendime. Juridikisht, a ka një protokoll, a duhet të bëhet një mbledhje qeverie? A kanë bazë ligjore dhe juridike të gjitha vendimet që merr një person i vetëm edhe nëse është kryeministër apo jo?
Për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve, ishte i ftuar në “Ditarin” e orës 19:00 në A2, avokati Jordan Daci.
“Kryeministri nuk ka asnjë të drejtë që të nxjerrë akte, që të kenë efekt për të gjithë qytetarët. Ai mund të nxjerrë vetëm urdhra që janë me karakter të ndryshëm administrativ dhe që absolutisht nuk mund të cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Deri tani kryeministri, nëpërmjet një këshilli pseudo ekspertësh, të cilët nuk i dimë se kush janë, ose janë të papërgjegjshëm ose janë të paaftë, ose janë vetëm për të certifikuar ato që u thotë kryeministri”, u shpreh avokati Daci në A2.
Më tej, avokati theksoi se vendimet janë antikushtetuese dhe se Shqipëria po qeveriset nga një njeri i vetëm.
“Në rastin konkret nuk ka asnjë vendim. Është një vendim i moment, i cili ashtu ia shkrep kryeministrit dhe të gjithë qytetarët do të duhet të prishin planet. Juridikisht, këta kanë kohë që e kanë injoruar shtetin e së drejtës. Kushtetuta është shndërruar në asgjë, ligji është shndërruar në një mekanizëm dhune dhe kontrolli, më shumë se një mekanizëm që kërkon të ruajë interesin e qytetarëve. Në situatën aktuale, ne jemi në paligjshmëri kushtetuese sepse zgjatja me dy muaj ishte antikushtetuese. Maksimumi që kuvendi mund të zgjaste gjendjen e fatkeqësisë natyrore ishte 30 ditë. Në këto momente, ne qeverisemi nga Facebook, nga një njeri i vetëm”, u shpreh Daci. (A2 Televizion)