City i pamëshirshëm me Arsenal, Aguero heroi i ditës

Nga A2 CNN
3 Shkurt 2019, 19:21 | Futboll

Manchester City është tashmë vetëm dy pikë larg Liverpool në renditjen e Premier League pasi shkëtarroi 3-1 Arsenal të shtunën në mbrëmje në “Etihad”.

Heroi i ditës ishte pa diskutim Sergio Aguero, i cili realizoi të tre golat e skuadrës së tij, duke vendosur edhe një rekord fantastisk në Premier League. Argjentinasi ka shënuar dy golat më të shpejtë të këtij sezoni (pas 24 sekondash, kundër Newcastle dhe pas 46 sekondash lojë, kundër Arsenal).

Aguero hapi serinë e golave pa nisur mirë loja, kur befasoi të gjithë me kokë pas një krosimi në zonë. Pak minuta më vonë Aymeric Laporte shënoi atë që do të kishte qenë goli i dytë për Cityn, por gjyqtari e konsideroi në pozicion jashtë loje.

Në të 11’ miqtë arritën të barazonin falë golit të Laurent Koscielny, i cili me kokë dërgoi topin në rrjetë. Por vendasit ishin dominues në çdo aspekt dhe iu afruan golit të dytë shumë shpejtë, me Nicolas Otamendi.

Megjithatë goli që riktheu skuadrën e Guardiolas në epërsi erdhi vetëm një minutë para fundit të pjesës së parë, kur një pasim i shkëlqyer nga Raheem Sterling nxori Agueron me portën e boshatisur dhe argjentinasi e kishte të pamundur të mos dërgonte topin në portë.

Çerek ore pas fillimit të pjesës së dytë sulmuesi shënoi edhe golin e tretë personal, duke devijuar topin me trup në portën e Bernd Lenos. Portieri gjerman ishte ndër më të mirët për Arsenal, edhe pse pësoi tre gola, pasi shmangu një katastrofë të vërtetë në disa raste duke i mohuar golin lojtarëve të Cityt.

Pas kësaj fitoreje, City do të shpresojë që West Ham të ndalë nesër në mbrëmje Liverpoolin kryesues, çka do ta bënte edhe më emocionuese këtë fazë të dytë të kampionatit anglez. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos