Civici: Një valë e dytë e koronavirusit do të ishte shkatërrimtare për ekonominë

Nga A2 CNN
6 Maj 2020, 10:07 | Ekonomi
Civici: Një valë e dytë e koronavirusit do të ishte

Eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, i ftuar në Dita Jonë, u shpreh se një valë e dytë e pandemisë do të sillte një situatë të tmerrshme shëndetësore, por edhe ekonomike.

“Besoj se do të jetë një dhimbje me fund, por e zgjatur. Ky është një shqetësim që po shqetëson shumë vende të botës. Tek të gjithë ekziston frika e një vale të dytë të virusit dhe kjo do të sillte që shumë masa të riktheheshin sërish. Kjo ngelet pikëpyetja më e madhe dhe vendimi më i vështirë, pasi është shumë zor të vësh në balancë jetët njerëzore dhe dëmet e jashtëzakonshme ekonomike dhe financiare, që ndoshta mund të shkaktojë më shumë viktima se koronavirusi.

Është kthyer në një eksperiment në kohë reale, ku qindra milionë njerëz, përveç kujdesit, janë pjesë edhe të një eksperimenti, rezultatet e të cilit akoma nuk dihen. Nëse do të kemi një kthim të koronavirusit po aq të fortë sa edhe vala e parë, do të ishte një situatë e tmerrshme, jo vetëm nga sociale dhe sanitare, por edhe ekonomike. Por ekspertët e fushës e shohin valën e dytë më të ulët”.

Më tej, Civici u shpreh se deri në 600 milionë persona rrezikohen nga uria nëse situata do të zgjasë. “Rreziku vjen nga ndërprerja e aktivitetit ekonomik. Rusia ka deklaruar se deri më 1 korrik do të ndërpresë të gjithë eksportet e grurit. Po të njëjtën gjë ka deklaruar edhe Ukraina, po të njëjtën gjë po bën dhe Vietnami me orizin. Nëse tregtia botërore fillon të bllokohet, jo vetëm për shkak të masave të karantinës, por edhe të frikës që vendet kryesore prodhuese kanë, do të sillte pasoja shumë të mëdha në ato vende importuese neto të ushqimeve bazë”, u shpreh Civici. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos